2 Shtator, 2020 - 1:55 pm
Suada Qorraj
Gërshetimi i epokave të ndryshme, veprave monumentale e artistëve që pushtojnë skenën duke ringjallur një pjesë të historisë, do të filloj edicionin e nëntëmbëdhjetë në shtator të këtij viti. Festivali ndërkombëtarë “ReMusica” si asnjëherë më parë do të sjellë rrugëtimin e publikut në sallat më prestigjioze të Evropës, shkruan KultPlus.
Rrethanat e krijuara si pasojë e pandemisë pamundësuan udhëtimin e artistëve ndërkombëtar në Prishtinë, mu për këtë arsye ishte festivali “ReMusica” ai që udhëtoj tek artistët dhe vendet e tyre. Sallat e mahnitshme të Amsterdamit, Austrisë, Gjermanisë, Francës e Prishtinës, do të jenë nikoqiri i koncerteve të katërmbëdhjetë netëve të festivalit “ReMusica”.
Në një intervistë për KultPlus, drejtoresha e këtij festivali Donika Rudi ka treguar se edicioni i sivjetëm i festivalit ka qenë një ndër organizimet më sfiduese, me kërkesa të mëdha dhe i kushtueshëm. Sipas saj ekipi i ndarë në shtete të ndryshme ka vepruar si një i vetëm.
“Një projekt grandioz, me kërkesa të mëdha, gjithashtu edhe shumë i kushtueshëm. Mirëpo, vendosmëria dhe vullneti ynë ishin të padiskutueshme andaj vendosëm që koncertet t’i japim nga sallat prestigjioze në Evropë, si p.sh. Het Concertgebouw Amsterdam, Lorely Saal, duke i lënë hapësirë të veçantë artistëve të çmuar nga Kosova. Thjeshtë, një ekip i tërë në shtete të ndryshme ka funksionuar paralelisht të unifikuar dhe si një”, ka thënë ajo.
Sipas Rudit e gjithë puna që është bërë deri më tani lidhet edhe me mesazhin e festivalit për këtë vit. Ajo ka thënë se pandemia në një formë i ka bashkuar të gjithë, duke thyer barriera, kufijtë e duke i dhënë hapësirë edhe artit që të lulëzoj në një kohë të errët.
Edicioni i sivjetëm i festivalit “ReMusica” ndonëse po vie në një formë krejtësisht të re, do të ruaj cilësinë, vëllimin dhe fizionominë e ndërtuar me vite ku pjesa më e madhe e programit do të jetë e orientuar tek veprat e kompozitorëve shqiptar.
Hapja e festivalit do të bëhet nga Ebonit Saxophone Quartet, drejtpërdrejtë nga “Het Concertgebouë Amsterdam”. Kurse Salla e Kuqe e Prishtinës do prezantoj koncertin e sopranos tonë tashmë të afirmuar, Besa Llugiqi e cila do të shoqërohet nga pianisti, tashmë me përvojë të madhe Misbah Kaçamaku.
Festivali po ashtu do vizitoj edhe djepin e muzikës, ku nga Lorely Saal në Vjenë do paraqes Trio Klavis (violinë, saksofon dhe piano). Pjesë e programit do të jenë edhe veprat e autorëve shqiptar si: Valton Beqirit dhe Artan Hasanit.
Në edicionin e 19-të të festivalit artistët Visar Kuçi dhe Lirika Pula-Kasapolli do të sjellin interpretimin e veprave që nuk janë luajtur më parë në Kosovë, por edhe veprën Calliope Tsoupaki.
Një ndër të veçantat e këtij edicioni do të jenë dyshja e përbërë nga kitaristi Jeremy Juove dhe violinisti Pierre Fouchenneret. Në mesin e shumë veprave ata do të luajnë edhe premierën e veprës së autorit Kreshnik Aliçkaj.
Gjithashtu edicioni i sivjetëm do të mirëpres edhe një nga kuartetet harkore më të kërkuara ndërkombëtarisht, Minguet Quartett, e të cilët do të interpretojnë veprën e kompozitorit kosovar Ardian Halimi, e cila është shkruar si porosi e Festivalit ReMusica.
Donika Rudi ka treguar se shpresa dhe ringjallja janë dy konceptet në të cilat është bazuar programi nga organizatorët. Sipas saj ishin pikërisht këto të dyja, shpresa dhe ringjallja që përcollën të gjithë periudhën e pa përjetuar më parë.
“Mungesa e skenës dhe ndalimi i aktiviteteve kulturore krijoj një boshllëk. Në përpjekje për të dalë nga ky boshllëk, ne e pamë të rëndësishme që të gjithë këtë energji dhe këtë dëshpërim në njëfarë forme ta shndërrojmë në shpresë, si filozofi të jetës, të gëzimit e të këngës. Dhe në fund, na duket se koncepti i ringjalljes shfaqet si forcë lëvizëse në arritjen e një bote më të mirë, e më të lumtur”.
Ajo ka thënë se ndryshe nga edicionet e mëhershme ku në fokus kanë qenë ansamblet e shumta, orkestrat e koret nga Kosova, Japonia e Amerika, këtë vit kjo ka ndryshuar sepse koncertet do të jenë kryesisht me ansamble kamertale e formacione të vogla.
“Pandemia na ka bërë të reflektojmë në përpilimin e programit në tërësi, për dallim nga vitet dhe edicionet e kaluara ku gjithmonë kemi pasur në fokus ansamblet e shumta, orkestra dhe koret si nga Kosova, Japonia apo Amerika, këtë vit është dashur që kjo të ndryshoj. Kështu që koncertet do të jenë kryesisht ansamble kamertale, formacione të vogla në mënyrë që kontakti të jetë më i pakët për shkak të covid19”, ka shtuar drejtoresha e festivalit.
Krejt në fund Donika Rudi ka treguar se në sallat e koncerteve të Amsterdamit, Austrisë, Gjermanisë, Francës e Prishtinës do të mungoj publiku, sepse pavarësisht të bukurës që krijon muzika, ruajtja e shëndeti çdo herë është më e rëndësishme.
Ajo ka shtuar se festivali është me fat që për nëntëmbëdhjetë vite të ekzistencës së tij ka pasur një përkrahje dhe një publikë të devotshme. Sipas saj edhe në periudhën e pandemisë ka pasur një përkrahje të pashoq për festivalin. / KultPlus.com