18 Gusht, 2020 - 11:25 am
Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ReMusica’, sivjet, vjen në një format të ri, format i kushtëzuar nga rrethanat dramatike që është duke kaluar njerëzimi, përcjellë KultPlus.
“Kemi qenë të shtrënguar, ashtu si edhe ndërmarrjet të tilla të ngjashme në botë, t’i kthehemi punës dhe t’i përkujtojmë vlerat fundamentale të ekzistencës”, thonë organizatorët.
Në përpjekjet që të dilet nga ky boshllëk, në horizont shfaqet shpresa si filozofi shumë e hollë e jetës – shpresa për ndryshim, shpresa për jetë, shpresa e gëzimit, shpresa e këngës, shpresa e botës së tingujve, shpresa e lumturisë. Shpresa shfaqet mu atëherë kur gjithçka duket e humbur. Ajo ngadhënjen mbi dëshpërimin (si mëkat i pafalshëm), ajo shkëlqen në fund të mendimeve tona të errëta.
Dhe në fund (apo në fillim?), na duket se koncepti i ringjalljes shfaqet si forcë lëvizëse në arritjen e një bote më të mire, më të lumtur. Pandemia zbuloi problemet fundamentale të mënyrës së jetesës dhe kjo ringjallje duhet të shërbej në adresimin e këtyre problemeve.
Në thelbin e situatës së sotme qëndrojnë fjalët Shpresa dhe Ringjallja – RISE!, thuhet në komunikatë.
“ReMusica” sjell këtë edicion mes datave 7-21 shtator 2020, e për përmbajtjen e programit dhe mënyrën e organizmit, KultPlus do të ju njoftojë në ditët në vijim. / KultPlus.com