Filharmonia dhe ‘Prenk Jakova’ nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, ofrohet praktikë profesionale për nxënësit e Shkollës së Muzikës

4 Shkurt, 2025 - 5:29 pm

Një memorandum bashkëpunimi është nënshkruar sot ndërmjet Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale të Muzikës “Prenk Jakova” dhe institucionit më të lartë të muzikës në vend, Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky memorandum bashkëpunimi i nënshkruar nga drejtoresha e shkollës “Prenk Jakova”, Jeta Dida – Bujari dhe nga u.d. drejtori i Filharmonisë së Kosovës Dardan Selimaj synon:

• Rregullimin e bashkëpunimit për ofrimin e mundësive të praktikës profesionale për nxënësit e shkollës në Filharmoninë e Kosovës.

• Krijimin e një platforme bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave profesionale për nxënësit e shkollës, përmes angazhimit dhe përvojës në aktivitete dhe projekte.

• Ngritje dhe përmirësim të cilësisë profesionale të nxënësve, duke ofruar mundësi praktike dhe përvojë të vlefshme në fushën e muzikës.

Në përfundim të praktikës, nxënësit do të pajisen me certifikatë vlerësimi për përvojën e fituar brenda institucionit të Filharmonisë së Kosovës../ KultPlus.com

Të ngjajshme