Filharmonia e Kosovës do ta fillojë vitin me një program të veçantë

19 Janar, 2024 - 9:45 pm

Filharmonia e Kosovës njofton të gjithë dashamirësit e muzikës klasike dhe veprave të famshme të kompozitorit Ludwig van Beethoven rreth një ngjarje të veçantë për këtë vit, shkruan KultPlus.

Më 27 janar 2024, në orën 20:00, Filharmonia e Kosovës do të prezantojë një program të jashtëzakonshëm në Prishtinë. Orkestra do të sjellë për publikun dy premiera emocionuese dhe do të rikthehet me një vepër të madhe të Beethovenit, Simfoninë Nr. 7.

Kjo ngjarje e rrallë do të udhëhiqet nga mjeshtrja zvicerane, Lena-Lisa Wüstendörfer, në një bashkëpunim të parë me Orkestrën e Kosovës. Solistja e këtij koncerti do të jetë pianistja e njohur kosovare, Pranvera Hoxha, e cila do të performojë “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck.

Një moment shumë emocionues do të jetë kthimi i kontrabasistit të njohur, Shkodran Osmanaj, i cili do të performojë si solist “Koncertin për kontrabas dhe orkestër” të kompozitorit Serge Koussevitzky.

Pjesa e dytë e koncertit do të jetë një interpretim i vepres së madhe të Beethovenit, Simfonia Nr. 7.

Linku për rezervime do të publikohet së shpejti, kështu që ndiqni Filharmoninë e Kosovës në rrjetet sociale për të marrë pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme të muzikës klasike. /KultPlus.com

Të ngjajshme