17 Shkurt, 2021 - 10:23 am
Xhemile Hysenaj
Mbrëmë, në nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Salla e Kuqe në Prishtinë mirëpriti Filharmoninë e Kosovës për një koncert madhështor dedikuar historisë e rrugëtimit të popullit të Kosovës ndër vite, shkruan KultPlus.
Para një publiku modest, për herë të parë u interpretua një nga veprat më të mëdha të kompozitorit Valton Beqiri bashkë me atë të Vinçenc Gjinit, “Simfonia in K: Kosova vatra atërore’, një kompozim ky që ngërtheu brenda vetes ‘Rrugëtimin’ gjashtë shekullor të historisë së shqiptarëve.
‘Rrugëtimi’ i Valton Beqirit erdhi para publikut në gjashtë etapa: Nga Kastrioti, Rilindja, Qëndresa, Malli, Liria e deri tek Jeta. Etapa këto që në secilin instrument kishin zënë vend e shpaloseshin me brishtësi përmes tingujve duke depërtuar kështu në secilën skutë e tek secili person që ishte i pranishëm. Secila etapë pasonte me duartrokitje e brohoritje të shumta që veçse i dëshmonin emocionet e mëdha që kishin kapluar publikun.
Filharmonia e Kosovës dikur tubonte mbi 2000 artdashës në Sheshin e Prishtinës, ndërkaq mbrëmë si pasojë e gjendjes pandemike, në Sallën e Kuqe u shfrytëzua vetëm 40% e hapësirës. E gjithë trupa e Filharmonisë ishte në distancën e caktuar dhe me maska të vendosura.
Për Baki Jasharin, e gjithë kjo situatë është tejet e dhimbshme. Në një prononcim për KultPlus, ai flet me nostalgji e emocione të mëdha tek kujton koncertin e 26 qershorit, i organizuar për nder të figurës së Skënderbeut.
“Filharmonia kishte mbledhur diku rreth 2500 persona dhe ka qenë e mahnitshme qetësia absolute që ka mbretëruar gjatë atij koncerti”, ka theksuar Jashari.
Ai, ndër të tjera, ka deklaruar për KultPlus, se agjenda e Filharmonisë për këtë vit është shumë më modeste se viteve të tjera. Ndërkaq në anën tjetër ishte ndarë shumë i kënaqur me performancën e cila kishte ardhur me një presion tepër të madh pasi pandemia Covid19 kishte ndryshuar e vështirësuar pothuajse secilin proces të këtij institucioni.
“Ne kemi pasur obligim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sikurse edhe institucionet tjera kulturore të organizojmë koncert për përvjetorin e pavarësisë duke respektuar masat anticovid. Nuk kemi mundur t’i zhvillojmë provat e kompletuara me këtë staf pasi hapësira është shumë e vogël dhe ne duhej t’i respektonim vazhdimisht masat anticovid, kam kontaktuar gjatë gjithë kohës me IKSHPK-në për t’u koordinuar. Dhe është akoma e dhimbshme që ne nuk kemi Sallë koncertale, jemi mjerisht në këtë Sallë të Kuqe me hapësirë kaq të vogël”, ka deklaruar tutje Jashari për KultPlus.
E gjithë ky organizim kishte një domethënie të madhe për kompozitorin Valton Beqiri, për të cilin lavdatat e duartrokitjet nuk kishin të ndalur. Ai për KultPlus tha se shpreson që ky koncert të jetë prapë pjesë e repertorit dhe pse jo të shfaqet edhe në vende tjera.
“Realisht koncertet e tilla që përkojnë me një ansambël kaq të madh, është mëkat që realizohen me një numër të limituar të shikuesve, por megjithatë veprat vazhdojnë e përçojnë mesazhin e tyre”, ka potencuar Beqiri për KultPlus.
Një koncert ky që emocionoi të gjithë, përfundoi me brohoritje e duartrokitje të pafundme, për pothuajse një orë bëri që e gjithë kjo situate e tmerrshme që ka kapluar botën të harrohej e publiku të lundronte qetazi në secilën notë. / KultPlus.com