Filharmonia e Kosovës hap sezonin me pianisten e mirënjohur Lule Elezi

19 Shtator, 2019 - 3:26 pm

Programi i hapjes së sezonit 2019 / 2020 i Filharmonisë së Kosovës sjell në Prishtinë koncertin në drejtimin e dirigjentit Boian Videnoff (Gjermani). I njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, ai kthehet përpara publikut të kryeqytetit për bashkëpunimin e radhës me një mbrëmjes koncertale me vepra romantike.

Solistja e mbrëmjes, pianistja e mirënjohur kosovare Lule Elezi do të luajë koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Edvard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore. Pjesa e dytë e koncertit është rezervuar për Simfoninë e 9-të në e-mol të kompozitorit çek Antonín Dvořák, ndryshe e njohur si Simfonia “Nga bota e re”.

Kjo e fundit qe kompozuar në vitin 1893 derisa Dvořák ishte drejtor i Konservatorit Kombëtar Amerikan të Muzikës në Nju Jork dhe është një nga simfonitë më të popullarizuara të të gjitha kohëve. Astronauti Neil Armstrong mori një incizim të kësaj simfonie përgjatë misionit Apollo 11, ndryshe i njohur si zbarkimi i parë i njeriut në hënë në vitin 1969. Në 50 vjetorin e zbarkimit historik në hënë, ju mirëpresim në një mbrëmje si kjo për të provuar madhështinë e muzikës orkestrale. / KultPlus.com

Të ngjajshme