Filharmonia e Kosovës koncert në Paris, kushtuar 20 vjetorit të çlirimit

19 Maj, 2019 - 1:59 pm

Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie për të shpalosur detajet e prezantimit të parë të Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë për koncertin që do të mbahet  në Paris të Francës, më datën 22 të këtij muaji.

Drejtorit i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se ky koncert është bërë për nderë të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

“E gjithë trupa përfshi korin orkestrën simfonike do të prezantohet në Paris më 22 maj më ç’rast interpretohet vokal instrumental ‘Njeri me armë’ kompozuar nga kompozitori britanik Karl Jenkins, ku kjo vepër është bërë nga ai në vitin  1999 dhe i  kushtohet viktimave të fundit në Kosovë. Ambasada e Francës në Kosovë është iniciatorë i këtij evenimenti të madh. Do të prezantohet me 110 përformues në skenë.” ka përfunduar Jashari.

Adelina Paloja nga Soprano tha se kjo vepër është trajtuar më ndryshe dhe se është e veçantë, për faktin që trajton një të mbijetuar të luftës.

“Në këtë vepër do të paraqitem në rolin e solistes soprano me dallim nga paraqitjet  më herët këtë vepër e kemi trajtua krejt ndryshe si diçka e posaçme me vet faktin se roli është i një të mbijetuare të luftës që gjendet në një situatë emocionale të vështirë ky është një lloj personifikimi i shumë femrave nënave që kanë pas fatin e keq që gjatë një periudhe të ndjeshme me momente më të vështira. Andaj mendoj dhe shpresoj që sot jemi në paqe këtë mesazh ta drejtoj  asnjë fëmijë të mos e përjetojë atë që ne kemi përjetua”, tha ajo.

Violinisti nga orekstra Festim Fana tha se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe  se shpreson se do të kthehen faqebardhë dhe me emocione shtesë.

“Orkestra është mjaftë e lumtur që do të përformojë në një vend si Parisi, është hera e parë andaj falënderim ndaj ambasadorit dhe Ambasadës. Orkestra është e përbërë prej shumë anëtarëve dhe mënyra si jemi përgatitur është shumë e veçantë unë pres që do të jetë përformancë e mirë”, tha ai.

Kujtojmë se ky koncert për paqen që luhet nga solistët, kori, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe me dirigjent Baki Jashari do të mbahet më 22 maj në orën 19:30 në Hotel national des Invalides në Paris të Francës. Ndërsa Trupa e Filharmonisë do të niset nesër. / ekonomiaonline / KultPlus.com

Të ngjajshme