11 Dhjetor, 2018 - 11:56 am
Gili Hoxhaj
Me zërat e burrave të korit të Filharmonisë së Kosovës nisi koncerti i fundvitit nga ky kor. “O frondes virga” e kompozuar nga Hidlard von Bigen, me aranzhim të Rafet Rudit pati si solist kontratenorin Safet Berisha, interpretimi i të cilit u përcoll me mjaft duartrokitje nga të pranishmit.
Edhe kësaj radhe pranë korit në dirigjim gjendej i pari i këtij institucioni Rafet Rudi. Nën dirigjimin e tij, kori i meshkujve solli veprat “Sicut cervus” e “Jesu rex admiribilis” të kompozuara nga Giovani Perlugi de Palestrina. Më pas korit të meshkujve, ju bashkua një ansambël më i vogël vokal, ku gjashtë anëtare të korit të femrave i japin gjallërinë e parë veprës “Haec dies” të William Byrd. Kur zërat e tyre pushonin, interpretimi u pasohej zërave të bashkuar të anëtarëve e gjinisë së kundërt që ishin rreshtuar pas tyre.
Pas kësaj, anëtarët e të dy gjinive bëhen bashkë për veprën “Lauda Jerusalem” të Antonio Vivaldit. Ulëset e vendosura jo shumë larg tyre, plotësohen me një pjesë të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Sopranoja Adelina Paloja dhe Kaltrina Miftari ishin zërat solistik, përmes së cilave rrodhi interpretimi i veprës të cilën Vivaldi e kishte kompozuar rreth viteve 1720, vepër kjo që dëshmon ndikimin e madh që kishin koncertet e Vivaldit në muzikën e tij të kishës.
Sopranoja Adelina Paloja tha për KultPlus se vepra që ajo ka interpretuar ishte sa atraktive, aq kishte edhe me kërkesa teknike, ndërsa pas gjithë këtij programi thotë se fshihet një punë kolosale të cilën e kanë bërë së bashku me profesorin Rudi dhe secili individualisht në pjesët solistike që kanë interpretuar.
“Jam shumë e lumtur që sonte koncerti u mirëprit aq bukur nga publiku. Kori e ka bërë një punë për tu vlerësuar nga rrethi profesional e publiku që është artdashës, pasi që punohet në detaje që këto vepra të vijnë në këtë format”, u shpreh Paloja, ndërsa shtoi se ardhja e dy solisteve nga Franca i ka sjell një freski pjesës solistike.
“Stabat Mater” është ajo që i dha shijen e fundit publikut, aty ku koncerti arriti kulmin në përcjellje të orkestrës e korit në harmonizim me dy zërat e solisteve nga Franca që për këtë koncert kishin ardhur për herë të parë në Prishtinë, duke i dhënë mundësinë publikut që të dëgjojë zëra të cilët i janë dedikuar veçmas muzikës barokiene.
Stabat Mater është vepër të cilën Giovanni Battista Pergolesi e kishte kompozuar në vitin 1736. E punuar në javët e fundit të jetës së Pergolës, është e projektuar për solistët e sopranos dhe alto solistet, ndërsa përcillet nga një pjesë e orkestrës dhe kori. Stabat Mater është një nga veprat më të shquara të Pergolesit, duke arritur popullaritet të madh pas vdekjes së kompozitorit. Jean-Jacques Rousseau e kishte cilësuar si “dueti më i përsosur dhe prekës që do të vinte nga pena e çdo kompozitori”. I tillë erdhi edhe mbrëmë në Prishtinë. Në disa raste, publiku shijoi zërat e dy solisteve njëkohësisht, e herë mund të dallonte veçantitë e tyre kur njëra zinte vend në ulëse e tjetra ngrihej në interpretim.
Sopranoja nga Franca, Clemence Gracia tha se koncerti i mbrëmshëm u ka dhënë një përvojë shumë të mirë. Ajo thotë se ka qenë tejet e kënaqur që së bashku me Filharmoninë e Kosovës të rrugëtojnë në muzikën barokiene.
“Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe ne sollëm si një rrugëtim të ri në vepër. Orkestra reagoi shumë mirë me zërat tanë. Publiku e dëgjoi veprën me vëmendjen dhe ne e ndjemë lidhjen tonë me publikun. Kori tregoi sonte se ishte i përgatitur për këtë vepër”, theksoi sopranoja Gracia.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari u shpreh për KultPlus se ky koncert përmban një punë të madhe të dirigjentit Rudi i cili e ka konceptuar këtë program, i cili ishte mjaft i larmishëm dhe solli për publikun veprën e “Stabat Mater” të Pergolesit . Ardhjen premierë të kësaj vepre në Kosovë, Jashari tha se e cilëson si një moment të rëndësishëm për jetën kulturore në Prishtinë dhe atë të rajonit.
“Ky program ishte ide e dirigjentit Rudi i cili është jashtëzakonisht i interesuar për muzikën e vjetër. Qëllimi i institucionit dhe dirigjentit është që t’i ofrojmë publikut edhe stile të tjera që më rrallë interpretohen dhe kjo muzikë është shumë specifike dhe andaj ne kemi sjell dy soliste nga Franca që janë të specializuara për këtë lloj muzike”, tha Jashari për KultPlus.
Filharmonia e Kosovës më 23 dhjetor do të sjell koncertin përmbyllës për këtë vit. Koncerti i Vitit të Ri do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinsië, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com