Filharmonia e Kosovës me koncert online, për nder të Ditës së Kushtetutës

9 Prill, 2020 - 12:22 pm

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton të gjithë artdashësit që Filharmonia e Kosovës, prej sot nisë transmetimin e serisë së koncerteve në facebook.

Nga sot, më 9 prill, me fillim nga ora 20:00, Filharmonia do të transmetojë koncerte dy herë në javë (çdo të enjte dhe të diel), derisa situata të kthehet në gjendje normale dhe institucioni më i lartë i muzikës në vend t’i kthehet punës.

Sot, me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Filharmonia do të sjellë interpretimin e Simfonisë së 9-të të gjeniut të muzikës klasike Ludwig van Beethoven, që sjell mesazhin e paqes mes popujve dhe që vlerësohet si një nga veprat më të mira të kompozitorit gjerman. Koncerti qe mbajtur në Prishtinë më 26.06.2019 në shënim të 20 vjetorit të çlirimit të vendit dhe ky do të jetë transmetim premierë për publikun.

Në këtë interpretim, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës drejtohen nga japonezi Toshio Yanagisawa ndërsa në rolin e solistëve paraqiten Arta Jashari – soprano, Vikena Kamenica – mexosoprano, Liridon Sadriu – tenor dhe Armando Likaj – bariton.

Koncerti i dytë në serinë e transmetimeve ‘online’, do të jetë të dielën më 12 prill. Filharmonia sjell interpretimin e veprave të kompozitorëve kosovarë, Valton Beqiri e Baki Jashari dhe veprën madhështore “Requiem” nga Mozarti, poashtu nën dirigjimin e Toshio Yanagisawas. Më këtë program Filharmonia qe prezantuar para publikut japonez në korrik të 2010-s në sallën “Canora” në Suva të Japonisë.

Koncertet mund t’i ndiqni në linkun e mëposhtëm. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/filharmoniaks/

Të ngjajshme