Filharmonia e Kosovës me tingujt e paqes, si celebrim i jetës muzikore të Mozartit

28 Janar, 2019 - 2:25 pm

Gili Hoxhaj

Filharmonia e Kosovës në muajin e parë të këtij viti, shënoi koncertin e dytë me radhë. Mbrëmja nisi dhe përfundoi nën tingujt e kompozimve të Wolfgang Amadeus Mozart që u zbërthyen përmes lojës së instrumentistëve të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Përballë tyre,  për herë të parë erdhi dirigjenti polak Daruisz Mikulski. I veshur në të zeza, me flokët lëshuar mbi supe, Mikulski dëshmoi përvojën e tij që ishte shtrirë edhe në rreshtat e programit të këtij koncerti. Afërsia që kishte krijuar me orkestrën hetohej në çdo vështrim e drejtim të shkopit të tij të dirigjimit. Qëndrimi i tij reflektonte përqendrim, e përcillej me buzëqeshje, krahas lëvizjeve të duarve, krejt trupi i tij dukej sikur vallëzonte natyrshëm nën ekzekutimin e veprave.

Krejt mbrëmja erdhi si celebrim i jetës muzikore të një prej kompozitorëve, pothuajse të paarritshëm,  e më të mirëve që ka njohur historia e muzikës klasike. Veprat e tij kanë kaluar në lojën e tërë orkestrave botërore, e vazhdojnë të vlerësohen gjithnjë e më tepër, tash e dy shekuj, kurse vet Mozarti rrugën e kompozimit e filloi qysh në moshën 5 vjeçare e me gjithsej 35 vite jetë arriti të sjell rreth 600 kompozime. Rrugëtimi muzikor tek publiku në Prishtinë, mbrëmë nisi me veprën Uverturë nga opera “Flauti magjik”, K.620 , vepër kjo që premierën e pati në vitin 1791 në Vjenë, dy muaj para vdekjes së Mozartit.

Dirigjenti Daruisz Mikulski i cili dirigjoi veprën e parë, në veprën e dytë u kthye me korno, për ta zhytur publikun në gërshetimin e  tingujve të kornos së tij me orkestrën, në veprën Koncert për korno dhe orkestër nr.2 në Es-dur, K.417, vepër kjo e përfunduar në vitin 1783. Dirigjenti polak Dariusz Mikulski nuk kishte asnjë pushim në mes veprës, kur i ndahej kornos, përqendronte duart drejt orkestrës, kështu duke iu kthyer edhe rolit të dirigjentit.

Mikulski është kornist, dirigjent koncertal dhe operistik, pedagog muzike dhe producent. Ai është themelues dhe dirigjent i Filharmonisë së Madhe të Polonisë dhe është nderuar për kontribut nga Ministria Polake e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare në vitin 2009, kurse në vitin 2011 është shpërblyer me medaljen e argjendtë të qytetit të Berlinit. Ai mbrëmë erdhi për herë të parë para publikut të Prishtinës, për të mbajtur më shumë se dy orë program para publikut.

Bashkëpunimin me orkestrën e quan si një rrugëtim të përbashkët drejt krijimit të vazhdueshëm. Ai tha për KultPlus se të realizosh një koncert të suksesshëm me orkestrën, është e nevojshme të mësojnë ta dëgjojnë njeri-tjetrin derisa secili luan,  kështu duke u shndërruar në një.

“Kam dëgjuar më parë për Kosovën dhe orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, por të them të drejtën nuk e kam pritur që do të takojë kaq instrumentistë fantastik, njerëz shumë të hapur që të ofrojnë një atmosferë shumë të mirë. Së bashku me orkestrën ishte e nevojshme që të mësojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin dhe mendoj që i arritëm ta gjejmë kuptimin tek njëri-tjetri”, tha dirigjenti Mikulski për KultPlus.

Duriusz Mikulski së bashku me trumeptistin Otto Sauter kanë mbajtur edhe disa masterklase me studentët e instrumenteve të tunxhit, në kuadër të pjesës së parë të  Festivalit të Kosovës për tunxhin që u organizua në bashkëpunim me Asociacionin Botëror të Tunxhit.

“E kemi filluar ditën në ora 5:45 në mëngjes, duke punuar me studentët të cilët janë shumë të interesuar dhe të etur për dijen lidhur me instrumentet e tunxhit”, shpjegoi dirigjenti dhe kornisti Mikulski.

Edhe Sauter kishte mbetur i mahnitur nga energjia e studentëve me të cilët ka bashkëpunuar javën e shkuar, madje ai thotë se vërën zhvillimin edhe që nga hera e fundit kur i ka takuar.

 “Kam shumë shpresë për të ardhmen e këtyre të rinjve, veçmas trumpetistët femra”, thotë Sauter për KultPlus.

Pas dy veprave të Mozartit që dukej se ecnin me tingujt e paqes së kompozimeve të Mozartit, mbrëmë për publikun prishtinas erdhi premierë vepra “L’Angelica Farfalla” e kompozitorit Enjott Schneder, posaqërisht për trumpetistit Sauter. Në repertuarin e veprave të Mozartit, nuk gjendet ndonjë vepër dedikuar instrumentit të trumpetës, ndërsa Sauter thotë për KultPlus se ndoshta kjo ka ndodhur se Mozarti nuk e donte tingullin e lartë që sjell ky instrument. Ata që e kanë dëgjuar Otto Sauter në Kosova Brass Festival zor se e kanë harruar lojën e tij në pikolo trumbetë, instrument të cilin ai e zotëron në çdo zbërthim të veprës, ndërsa këtë e dëshmoi edhe me lojën e tij mbrëmë që  dhuroi një eksperiencë të veçantë të lojës në këtë instrument.  Ai është një ndër solistët lider botëror në instrumentin e trumbetës, si specialist në pikolo, ai është prezantuar në të gjitha sallat e mëdha. Edhe pse ka luajtur edhe më parë si solist në Prishtinë, për Sauter ky ishte bashkëpunimi i parë më orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, për neve dhe për ata dhe është interesante për të parë zhvillimin që kishin ata përgjatë çdo dite,  dhe në anën tjetër e kupton që s’ka rendësi prej nga vjen, orkestrat muzikore janë gjithkund njësoj”, tregoi Sauter për KultPlus.

Pas kësaj vepre publiku u kthye përseri tek Mozarti ku publiku u përqendrua në Simfoninë No.4 në C-dur, K-551- Jupiter. Ky nuk ishte dhe një rrugëtim i gjatë interpretativ për orkestrën e dirigjentin, pasi që vet vepra konsiderohet si një nga simfonitë më të gjata që ka krijuar Mozarti, ndërsa simfonia nga shumë kritikë është vlerësuar si simfonitë më të arrira në botën e muzikës klasike. Kjo vepër nga fundi ecën me një ritëm më të shpejtë, ndërsa energjia e dirigjentit dhe e orkestrës vetëm se e përcillnin veprën deri në momentin kur instrumentet ulën, e dirigjenti Mikulski ngrit duart lart.

Koncerti i radhës nga Filharmonia e Kosovës është i paralajmëruar të mbahet më 3 mars ndërsa do të sjell përsëri para orkestrës dirigjentin Gregory Charette. / KultPlus.com

Të ngjajshme