Filharmonia e Kosovës nesër sjellë një nga veprat e fundit të Haydnit

14 Dhjetor, 2017 - 4:03 pm

Filharmonia e Kosovës nesër do të sjellë koncertin me Kor dhe Orkestër, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në këtë koncert do të interpretohen veprat e Joseph Haydan “Missa in Tempore Belli”, “Paukenmesse – Meshë në kohën e luftës Nr.9 në C – dur (Hob.XXII:9)” dhe Ludvig v. Beethoven “Uvertura “Coriolan” Op. 62”.

Rafet Rudi i cili ka përgatitur projektin që do të prezantohet nesër, tha sot gjatë konferencës se ky është koncert në radhën e disa prezantimeve të rëndësishme që ka pasur Filharmonia e Kosovës.

“Me këtë koncert të kësaj vepre voluminoze dhe të madhe ku marrin pjesë kori, orkestra, dhe solistët e nderuar po vazhdon një aktivitet mjaft indikativ në realizimin e veprave madhore të muzikës klasike. Këtë radhë e kemi Haydanin, është një meshë nder më të veçuarat e Haydanit, të cilën e ka shkruar në periudhën e fundit të jetës së tij”, shpjegoi dirigjenti Rudi.

Ai poashtu shpjegoi se kjo vepër e cila quhet “Mesha në kohën e luftës”, është shkruar në kohën kur Austria ishte në luftë dhe pikërisht këtu vije madhështia e këtij kompozitori që edhe në atë kohë ka shkruar një vepër më karakter më optimist, ku fjala e fundit që kumbon në këtë vepër është “Paqe”.

Koncerti është përgatitur nga dirigjenti Rafet Rudi, i cili do të dirigjoj edhe interpretimin e solistëve: Mariana Leka – soprano nga Shqipëria, Daniela Diakova – mexosoprano nga Bullgaria dhe Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria dhe në bas Frano Lufi nga Italia.

Sopranoja Mariana Leka, është kthyer pas pesë vitesh për të sjellë një bashkëpunim me filharmoninë, ndërsa tha se nuk ka asnjë dyshim që nesër koncerti do të dal i shkëlqyeshëm.

“Është një kënaqësi puna që bëhet në bashkëpunim me korin, orkestrën dhe solistët. Gjatë përgatitjeve jemi ndjerë shumë komod dhe besoj që edhe koncerti do të dal i shkëlqyeshëm”, tha Leka gjatë konferencës sot.

Ndërsa, Frano Lufin e ndaj një hark kohor prej dhjetë vitesh pa ndonjë bashkëpunim me Filharmoninë.

“E ndjej të nevojshme të them se kam ndjerë një nivel të mrekullueshëm të korit dhe shpresoj që nesër do të jenë edhe më të mirë”, tha Lufi sot.

Ai po ashtu është shprehur se ndihet shumë i lumtur ta këndoj këtë vepër e cila ka një kërkesë për paqe, për të cilën e gjithë bota ka nevojë.

Mexosopranoja e cila vjen nga Bullgaria, Daniela Diakova, tha sot se kjo vepër e nderon Prishtinën dhe se ajo e fton të gjithë publikun prishtinas që të ndjek nesër interpretimin e kësaj vepre.

Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria pohoi sot se ndihet i lumtur që nesër do të interpretoi në Prishtinë, ku ndihet si në shtëpi.

“Mendoj se ky zhanër i meshës është për t’i bashkuar njerëzit, dhe për mua është kënaqësi që të vij nga një shtet i Ballkanit për tu bashkuar përmes muzikës”, ka thënë tenori Mihaylov.

Ky koncert do të filloj nesër në ora 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa është koncerti i parafundit nga Filharmonia e Kosovës për këtë vit./ KultPlus.com

Të ngjajshme