Filharmonia e Kosovës përmbyll vitin me program atraktiv e dy koncerte brenda natës

24 Dhjetor, 2018 - 12:14 pm

Gili Hoxhaj

Nata e tingujve e zërave,  mbrëmë ka qenë më gjatë në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, aty ku rëndom mbahen koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Koncerti i Vitit të Ri, vitin e kaluar s’patë lënë hapësirë as për të lëvizur brenda sallës, numri i tyre kishte mbushur edhe korridorin e hapësirën lart sallës. Nga kjo largësi, shumë prej tyre vitin e kaluar s’ia dolën as të shohin artistët në skenë. Megjithatë qëndruan aty, për të dëgjuar deri në fund koncertin. Ata që kishin siguruar ulëset, pjesa më e madhe e tyre kishin ardhur një orë më herët.  Për t’iu shmangur një situatë të ngjashme, Filharmonia e Kosovës mbrëmë solli dy herë brenda natës të njëjtin koncert, ndërsa hyrja ishte me bileta falas. Kjo kishte ardhur edhe si pasojë e asaj që numri i të interesuarve për ta ndjekur këtë koncert kishte arritur numrin 2 mijë, interesim të cilit Filharmonia s’mund t’i përgjigjej as me dy koncerte, andaj ka ndërmarr dhe një hap tjetër, që koncerti i orës 20:00 të transmetohet live në RTK.

Tërë orkestra e Filharmonisë zuri ulëset si zakonisht. Shumë pak pas këtij momenti, ata ngrihen për ta pritur dirigjentin mes duartrokitjeve të publikut. Noorman Widjaja nuk është më i panjohur për publikun. Ai që në lëvizjen e parë mbërthen fort krahët drejt orkestrës. Shkopi ishte diçka që natyrshëm lëvizte në duart e tij. Shpesh ai e drejtonte atë në një anë e shikonte në sy instrumentistët. Ai dëshmonte që ka një komunikim përtej dirigjimit. Kur instrumentistët mbaronin lojën, e duart e tij ndalonin dirigjimin, duartrokitjet përplaseshin fort. Widjaja nuk kthehej për t’i marr duartrokitjet derisa sigurohej që tërë orkestra të ngrihej në këmbë, e pastaj ua dedikonte atyre. Kështu ndodhi edhe me solistët që u ngjitën në skenë. Përshëndetej nga afër me secilin, pas veprës. Me një butësi e ngritje dore, kërkonte mendimin e inkurajimin e publikut për ta.

Sopranoja Lorika Ismajli ishte ajo që e para u ngjit në skenë, e mori plot duartrokitje derisa u largua, për të marr edhe më shumë të tilla në interpretimin e saj. Ngjashëm publiku e priti edhe interpretimin e Adelina Palojas, Kaltrina Miftarit e Granit Musliut. Në këtë mbrëmje u prezantua edhe  ansambli vokal Dardanicum Cantori, i përbërë nga Diellza Sylejmani- Veseli, Safet Berisha, Kaltrina Miftari dhe Shaban Behramaj. Orkestra e solistët mbrëmë sollën arie të operave të njohura operistike dhe vepra simfonike nga kompozitorët si Cilea, Loewe, Bizet, Donizetti, Puccini, Rossini, Verdi e Mozarti.

Dirigjenti  Noorman Widjaja tha se gjatë kohës së provave është përpjekur që sa më shumë të punoj në përmbajtje pasi që ajo e vendos tempin dhe nëse e di përmbajtjen atëherë e di edhe tempin me saktësi, e në këtë mënyrë ata mund ta shijojnë më shumë nëse e kuptojnë atë që po luajnë.

“Puna ime është që t’i shpjegoj atyre se çfarë ndodh në atë simfoni, intermezzo apo në arie. Kur bëjmë operë dikush këndon, ka tekst dhe ne duhet që t’i shoqërojmë me tingull. Kjo është një punë shumë e vështirë. Nëse nuk e kuptojnë operën, nuk është e lehtë. Ne punojmë pjesë pas pjese, jo me një arie në tërësi. Kështu unë u shpjegoj shumë për këtë pjesë. Këtë javë ata krijuan diçka të papritur, një shpërthim sepse kanë filluar të kuptojnë përmbajtjen”, tregoi dirigjenti Widjaja. Ai tutje thotë se ndjesia e muzikës, ngjyrat janë magjike. Por një gjë e tillë nuk mund të arrihet menjëherë. Ai tha se të gjithë kanë shumë potencial për t’u ngjitur në skenë, ndërsa veçon tenorin Granit Musliun, për të cilin thotë se ka një të ardhme premtuese që mund ta arrijë vetëm jashtë Kosovës.

“Me ta duhet të kesh durim, përndryshe nuk mund të arrish asgjë këtu. Por sonte e shijova shumë sepse pash diçka që doli mirë. Të gjithë solistët ishin shumë të mirë, profesionistë, e disa prej tyre ndoshta nuk kanë kënduar operë asnjëherë. Ai duhet të shkoj në ndonjë shtëpi operistike, sepse këtu nuk ka. Ai është i ri dhe ndoshta do të gjej mundësi të studioj jashtë dhe një ditë të bëhet shumë i mirë. E për këtë jam i sigurt sepse është shumë i talentuar”, u shpreh Widjaja.

Nga Shqipëria, mbrëmë kishte ardhur edhe baritoni Armando Likaj i cili për publikun solli dy arie të njohura. Duartrokitjet e kthyen për tri herë në skenë. Mimika e tij në raport me veprën bëri që ai ta fus edhe publikun në lojën e saj. Likaj tha për KultPlus se ky nuk është bashkëpunimi i tij i parë me Filharmoninë e Kosovës, me të cilën ka interpretuar para diku tre vitesh, ndërsa tha se gjithnjë me kënaqësinë më të madhe vjen këtu. Për emocionet që mori mbrëmë, tha se ndikon edhe përvoja e tij skenike që të ndihet më afër publikut.

“Sonte interpretova dy vepra që njihen kudo në botë dhe dy vepra shumë të rëndësishme të baritonit, të vokalit që unë përfaqësoj. Po ashtu e bukura tjetër që varet edhe nga eksperienca, padyshim edhe këngëtarët e tjerë që janë te pranishëm në këtë gala janë tej mase të talentuar, por mua më bën më afër me publikun vet fakti që kam një eksperiencë skenike, pjesët që i këndojë këtu jam role që unë i kam luajtur në skenë, unë i afrohem shumë afër publikut, i jap maksimumin tim që të jem sa më i kuptueshëm, gjë që reflekton edhe në emocionet e tyre”, u shpreh baritoni Likaj.

Filharmonia e Kosovës me 20 koncerte, 99% e tyre premierë

Nga tani, ata që duan t’i ndjekin koncertet e Filharmonisë së Kosovës duhet të pajisen me biletë në objektet e këtij institucioni. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës tregoi për KultPlus se duke parë interesimin e madh të publikut, menaxhmenti i Filharmonisë së Kosovës kishte bërë tentativa që të gjente një hapësirë tjetër, apo ta zhvendosnin koncertin në dy ditë. Meqë kjo kishte qenë e pamundur, por në konsultim më dirigjentin, ata morën prej tij një ide që praktikohet kudo në botë.

 “Vet dirigjenti, duke e parë këtë hall tonin një javë para koncertit, tha se ka zgjidhje tjera që praktikohen në botë, dhe kjo ishte në të njëjtën ditë të bëhen dy koncerte. Bile kjo neve nuk na ka mjaftuar me gjithë atë numër të madh prej 2 mijë vetash që kërkonin patjetër të merrnin pjesë në këtë koncert dhe unë kam biseduar me RTK-në që është edhe sponsori ynë medial të cilët e kanë shqyrtuar mundësinë e transmetimit të drejtpërdrejtë të koncertit. Me këtë mundësi atëherë ne disi menduam se do të rrumbullakohet nevoja e të gjithë të interesuarve për këtë koncert festiv, që është pak më i veçantë se koncertet tjera të Filarmonisë”, tregoi drejtori Jashari, ndërsa shton se qëllimi ka qenë  vetëm të ketë rregull dhe vërtetë ai që vjen deri te bileta të jetë i siguruar me ulëse. Pas koncertit të parë, tha se ndihet shumë i kënaqur edhe për faktin se po sheh një publik tjetër nga ai që janë mësuar ta shohin zakonisht.

“Sonte ishte një publik që na ka lënë shumë përshtypje, tërë kohës me një motivim  të jashtëzakonshëm me pritjen që i bënë secilit performues vokal. Ky është një moment jo i lehtë për solistët vokal dhe besoj që vërtetë ishte një koncert shumë i suksesshëm i Filarmonisë”, shtoi tutje Jashari.

Jashari tha se gjatë vitit kanë sjellë rreth 20 koncerte, me komplet 20 programe të ndryshme, krahas kësaj gjatë vitit kanë sjell shumë solistë e dirigjentë të ndryshëm nga bota. Përveç dirigjentëve që janë prezantuar për herë të parë dhe dirigjentët e njëjtë që i ftojnë për shkak të ndikimit pozitiv që bëjnë në orkestër.

“Mos të them 99 për qind e programeve kanë qenë premierë që kjo na dallon prej institucioneve tjera që kanë repriza. Ne për herë të parë po bëjmë reprizë sonte”, tregoi Jashari. Ai tutje veçoi turneun koncertal të Korit të Filarmonisë në Britani të Madhe, me tri koncerte të realizuara atje ku janë ndjerë shumë krenarë që publiku britanik dhe posaçërisht kritika profesionale ka qenë e habitur.

Ai tutje tha se synimet e tyre janë në rritje e sipër por që varet nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës. Ai tha se do të përpiqen që t’i afrohen rajonit sa i përket kuantitetit, ndërsa vitin 2019 e cilëson si përgatitje për 20 vjetorin e Filharmonisë së Kosovës, në të cilin paralajmërojnë të sjellin emra të mëdhenj të muzikës tonë që kanë karrierë botërore.

“Po të ishte bërë salla do të ishte mrekullia jonë më e madhe që 20-vjetorin ta shënojmë në një sallë që e meritojmë të gjithë”, tha krejt në fund Jashari./ KultPlus.com

Të ngjajshme