Filharmonia e Kosovës, solli lojë bindëse në koncertin e parë për këtë vit (FOTO)

30 Janar, 2018 - 12:20 pm

Gili Hoxhaj

Filharmonia e Kosovës edhe këtë vit duket dukshëm se do të vazhdoi traditën për të mbledhur më shumë vizitorë se sa Salla e Kuqe ka hapësirë. Vepra të Jean Sibelius, e Bohuslav Martinu ishin ato që nisën rrugëtimin muzikor të koncertit të parë për këtë vit nga Filharmonia e Kosovës.

Ishte kompozitori amerikan Gregory Charette , ai që u prit me shumë duartrokitje nga të pranishmit, e me ritëm edhe më të fuqishëm të duartrokitjeve u përcoll gjatë lojës, e në përfundim të saj. Ai qëndronte para e orkestrës së Filharmonisë që tashmë kishte zënë vend para publikut. Gregory Charette, është aktualisht dirigjent muzikor në Oerknal ndërsa me mjaft përkushtim kishte marrë rolin e dirigjentit të koncertit të mbrëmshëm. Komunikimi i tij me orkestrën vërehej dukshëm në çdo lëvizje të duarve të tij, që herë shtriheshin në të dy anët, e herë në vetëm njërën anë të orkestrës. Ai po vinte për herë të dytë në Kosovë, ndërsa tha se mes Kosovës e Holandës ku ai edhe punon, duhet të ketë vazhdimisht shkëmbime.

Përmes Filharmonisë së Kosovës dhe ansamblit që ai drejton, oboisti i Filharmonisë së Kosovës, Albin Abazi kishte ndarë një eksperiencë më ta, andaj së bashku me oboistin holandez Arthur Klaassens, sollën një interpretim të mahnitshëm për publikun.

Tek Gregory Charette, nuk mungonte as komunikimi me publikun, ai mes veprave u drejtohej atyre për t’u treguar më shumë rreth përmbajtjes së asaj që ata po i shijonin.

Vepra e Dimitri Shostakovich, ishte ajo që shënoi kulmin e kësaj mbrëmje. Kjo vepër nga kompozitori sovjetik ishte kompozuar në vitin 1937, por për ta kapur më lehtë kontekstin e kësaj vepre duhet të preken ngjarjet e një viti më herët. Gjatë kohës kur kjo vepër po përgatitej ishte përballur me presion e censurë, gazeta zyrtare sovjetike e kishte cilësuar atë si një vepër vulgare, formaliste dhe jo e përshtatshme. Kompozitori ndodhej në një presion psikologjik deri në finalizimin e saj, ai i gjendej në një situatë ku ishte në rrezik për tu futur në burg vetëm për shkak të punës së tij artistike. Pas këtij shpjegimi, dirigjenti Charette, i ftoi të gjithë të pranishmit ta shijojnë këtë simfoni në mënyra të ndryshme, qoftë si një vepër arti e shkëputur nga konteksti i kohës, me një përjetim tejet personal apo si një protestë intime kundër censurës artistike.

“Muzika është gjuhë dhe çdo shoqëri që beson në lirinë e fjalës, beson dhe ne muzikë dhe në art. Institucionet të cilat përkrahin artin janë jashtëzakonisht të rëndësishme në një shoqëri demokratike”, u shpreh Charette. Këtu ai krejt në fund të fjalëve të tij kishte edhe një mesazh për ta mbështetur më fuqishëm këtë orkestër.

“Ju si një shtet, si një kryeqytet, shoqëri dhe komunitet duhet të jeni shumë krenar për këtë orkestër prapa meje. Kjo orkestër meriton përkrahjen e juaj dhe përkrahjen institucionale”, ka thënë kompozitori.

Ishte oboisti Arthu Klaasens, ai që publikut i dha një interpretim solistik që rrallë herë përjetohet në këtë sallë. Ndonjëherë e gjithë orkestra pushonte lëvizjet e tyre, për t’i dhënë kështu mundësinë publikut të shijoi magjinë e këtij tingulli. Kur tingujt e tij zgjateshin, duart e dirigjentit me ngadalësi ngriheshin, e orkestra vetëm zbatonte rrugën e kësaj melodie. Ai mbrëmë përjetoi eksperiencën e parë të interpretimit para publikut prishtinas, këtë përjetim ai e cilëson si tejet të veçantë.

“Është e mahnitshme ta shohësh këtë sallë të mbushur më kaq shumë njerëz, më shumë se sa që do duhej të zinte kjo sallë, kjo është një ndjenjë shumë e mirë për mua si solist. Publiku me të vërtetë donte të dëgjonte, unë e ndjeva këtë dhe kjo e bëri shumë më të lehtë interpretimin tim”, u shpreh oboisti Klaassens për KultPlus, lidhur me bashkëpunimin me orkestrën, ai i quajti si ndjekës shumë të mirë dhe në harmoni me interpretimin e tij e të dirigjentit.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tregoi për KultPlus se bashkëpunimi i mëparshëm i Filharmonisë me këtë dirigjent, kishte nxitur orkestrën që të kërkoi përsëri ardhjen e këtij dirigjenti në Prishtinë, pasi që ai kishte gjetur një gjuhë të fuqishme artistike me orkestrën.

“Ky dirigjent tashmë e dëshmoi veten për herë të dytë, andaj duke i ditur kualitetet e tij ne kemi vendosur ta kemi më shpesh meqë ai me punën e tij është duke e ngritur në nivel më të lartë orkestrën, andaj edhe ky program voluminoz është kërkesë e tij dhe sonte orkestra i ka provuar limitet interpretative që ndoshta me ndonjë dirigjent tjetër nuk do të kishim pas edhe guxim”, u shpreh drejtori Jashari, i cili shtoi se programe të tilla duhet të vazhdojnë t’i ofrohen publikut i cili ka po ashtu kërkesa të larta artistike, pasi që edhe pas pushimit mes veprave publiku vazhdoi të qëndroj në sallë, madje disa prej tyre në këmbë, e ata ulur kishin ardhur rreth një orë më herët për t’i zënë ulëset.

Këtu drejtori Jashari, u shpreh tejet entuziast për praninë e publikut ndërsa tejet i dëshpëruar që Filharmonia e Kosovës ende përballet me mungesën e një sallë adekuate, ku edhe kualiteti i interpretimit do të ishte një nivel edhe më të lart.

Megjithatë ai ndihet tejet i kënaqur që me interpretimin e solistit holandez Klaasens i mundësuan publikut të dëgjojnë tingujt e një instrumenti të rrallë, siç është oboa, i cili kërkon shumë profesionalizëm e trajtim delikat ndërsa shtoi se në Filharmoninë e Kosovës janë bërë pothuajse dhjetë vite që kur nuk ka pasur solo oboist.

Lidhur me planet e këtij viti ai tha se do të ketë edhe udhëtime jashtë vendit, kori do të udhëtoj në muajin maj për në Londër, ndërsa shtoi se ekziston mundësia e shkëmbimit edhe me Indonezinë. Për të gjithë publikun e Filharmonisë, ai tha se edhe ky vit do të jetë mjaft i ngjeshur me koncerte ndërsa paralajmëroi se Filharmonia e Kosovës muajin tjetër do t’u sjellë përsëri një koncert./ KultPlus.com

Të ngjajshme