24 Tetor, 2019 - 10:00 am
Si pjesë e aktivitetit të saj, Filharmonia e Kosovës ka paraparë një koncert i cili i dedikohet fëmijëve nga mosha 7 deri 11 vjeç – respektivisht fëmijëve të shkollave fillore ose ciklit të ulët dhe vjen si rezultat i përpjekjeve të tyre për të ofruar edhe program edukativ dedikuar audiencës në ardhje, përcjellë KultPlus.
Koncerti është përpiluar me kujdes dhe planifikohet të shndërrohet në aktivitet të rregullt të Filharmonisë. Programi do zgjasë 25 minuta (kohëzgjatja është paraparë të jetë e përballueshme për moshat përkatëse) dhe në fund fëmijët do të kenë rast të flasin me instrumentistët dhe të njihen me instrumentet nga afër.
Vepra e cila do të interpretohet është e shkruar nga kompozitori Camille Saint-Sawns dhe titullohet “Karnevali i Kafshëve”. Është e ndarë në 14 pjesë dhe secila nga to është e kompozuar asisoj që përmes muzikës ilustron një kafshë (luani, breshka, mjellma, kanguri etj).
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në këtë koncert do të dirigjohet nga Edon Ramadani ndërsa në rolin e solisteve do të paraqiten pianistet kosovare Pranvera Hoxha dhe Lirika Pula – Kasapolli.
Koncerti do të mbahet më 25 tetor nga ora 12:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. / KultPlus.com