Filharmonia përmbyll vitin me Gala Koncertin e Vitit të Ri 2025

22 Dhjetor, 2024 - 8:35 pm

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës mbrëmë nën dirigjimin e mjeshtrit Dario Salvi, ka përmbyllur vitin me Gala Koncertin e Vitit të Ri 2025, shkruan KultPlus.

Orkestra e institucionit më të lartë të muzikës në vend këtë fundvit solli një program ekskluziv, plot ekspresivitet dhe nostalgji.

“Koreografitë e pavdekshme të mjeshtrit botëror Mikhail Fokine, të shoqëruara nga muzika e Tchaikovsky-t, Saint-Saëns-it dhe Adam-it, erdhën në skenë falë balerinit dhe koreografit ikonik italian Toni Candeloro dhe Martina Arduino, prima balerinës së “Teatro alla Scala” – Milano”, thuhet në faqen e Filharmonisë.

Mbrëmja solli gjithashtu virtuozitetin e dy instrumentistëve të jashtëzakonshëm: violinistes franceze Anna Göckel, fituese e çmimit prestigjioz “Révélations Classiques de l’ADAMI,” dhe trumbetistit të parë të Filharmonisë së Sofjes, Peter Makedonski.

Epilogu i mbrëmjes ishte Marshi i Radetzky nga Strauss, nën dirigjimin e violinistes 8-vjeçare Hana Ajeti.

Filharmonia do të nisë aktivitetin me koncertin e parë më 17 janar 2025, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Soliste e koncertit do të jetë violinistja Abigeila Voshtina, ndërsa dirigjent italiani Jacopo Sipari di Pescasseroli. /KultPlus.com

Të ngjajshme