11 Gusht, 2022 - 6:00 pm
Era Berisha
Mbrëmja muzikore e së mërkurës në KultPlus Caffe Gallery ka pritur një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët janë mbledhur për të dëgjuar e admiruar zërin e pastër si kristal të artistes Fiona Llapashtica. Nëpër vazhdën e zhanrit pop dhe xhaz, kjo mbrëmje dëshmoi se zërat shqiptarë janë ndër më të bukurit ndonjëherë, shkruan KultPlus.
Fillimisht, pak para se ora të shënonte 20:00, të pranishmit veçse kishte kapluar hapësirën brenda katër mureve dhe akoma pa filluar zyrtarisht mbrëmja, ishin fotografitë, bisedat mes miqsh dhe buzëqeshjet e shumta ato që gjetën vendin e tyre. Në ndërkohë, derisa aspektet teknike arritën perfeksionimin e tyre, ishin fotografitë e Arton Sefës të vendosura në muret e KultPlus Caffe Gallery, ato që i kanë bërë shoqëri secilit.
Mirësia, mirëkuptimi e pasioni ishin tri ndjenjat që fuqishëm u ndjenin në hapësirë përgjatë gjithë mbrëmjes. Por, entuziazmi i Fionës për të kënduar e për të shpalosur talentin e saj, veçse ishte tejet prezentë. E njashtu ishte edhe dëshira për të dëgjuar zërin e saj të ëmbël e njëkohësisht të fuqishëm.
Pas kësaj pritjeje të lezetshme, babai i Fionës, doli për një fjalë rasti e ku fillimisht falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre.
“Kam kënaqësinë dhe nderin për të falënderuar vajzën time, Fiona e cila sonte sjell këngë xhaz. Fiona jeton në Vjenë por këtu jemi me pushime dhe përgjatë këtij pushimi ajo ka pasur qejf që të performojë për neve dhe andaj besoj që do të kënaqemi shumë bashkë”, ka thënë ai.
Ndërsa, ishte vetë këngëtarja Fiona Llapashtica ajo e cila para se të nis koncertin e saj, ka përshëndetur audiencën.
“Përshëndetje të gjithëve. Është shumë mirë që ju shoh sonte këtu. Këngët që do t’i këndoj sot do të jenë një përzierje e pop-it dhe xhazit dhe shpresoj që të gjithë do t’i shijoni. Kënga ime e parë që do të doja të këndoja për ju është “Love on the Brain” nga Rihanna. Kënga është bazuar në një djalë që e do vajzën me shumë butësi. Shpresoj se do t’ju pëlqejë”, ka thënë ajo.
Përgjatë kësaj mbrëmjeje, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë këngë që Fiona i ka përzgjedhur vetë e të cilat ajo i mban afër zemrës. Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë: “Bang Bang” nga Nancy Sinatra, “Whatever Lola Wants” nga Jerry Ross, “Pretty Lies” dhe “Wild Woman” nga Mimoza Hajdini, “Gimme! Gimme! Gimme!” nga ABBA si dhe shumë të tjera.
Duke filluar me dy këngë nga Rihanna e deri tek këngët që i përkasin zhanrit xhaz, Fiona ka ngjallë emocione të mëdha në publik. Ishin duartrokitjet, brohoritjet dhe thirrjet e shumta që nata të mos mbarojë, ato të cilat kanë dëshmuar për një koncert të suksesshëm dhe një mbrëmje që do të kujtohet për shumë gjatë.
Ndërsa, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një mbrëmjeje të tillë, për KultPlus ka folur këngëtarja Fiona Llapashtica.
“Unë po ndjena shumë mirë dhe jam shumë e lumtur sepse e kam përfunduar tashmë koncertin e parë timin. Në fakt, kam marrë pjesë nëpër ngjarje të ndryshme muzikore, por kjo sonte ishte i pari që më përket vetëm mua dhe është veç i imi. Unë këndoj më së shumti këngë klasike mirëpo për këtë koncert kam përzgjedhur këngë xhaz dhe pop, ato të cilat në fakt i kam dëgjuar më së shpeshti. Energjia dhe atmosfera që u krijua sonte më pëlqeu shumë e unë kënaqesha kur njerëzve u pëlqenin këngët. Nëse më mundësohet të performoj përsëri, atëherë unë do të vazhdoja me gjithë dëshirë këtë rrugëtim”, thotë Llapashtica.
Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium. / KultPlus.com