Fitnete Tuda: Kur këngët dhe shiu i Tiranës të ndjekin nga pas

23 Gusht, 2019 - 9:50 am

Arbër Selmani

Nuk ishte e rastësishme hyrja në muzikë e Fitnete Tudës.

Vajza nga Struga, e cila merrte qetësues kur filloi lufta në Kosovë, kur i shihte ikjet e refugjatëve nga Kosova, muzikën do ta niste në mes të ndjenjës së shqetësimit për atë që po ndodhte dhe të gëzimit, që po e realizonte ëndrrën e saj, por duke mos e kuptuar se po krijonte këngë të cilat do të dëgjoheshin edhe vite më vonë.

Fitnete Tuda, sot 55 vjeçare, në ato pak këngë të cilat i ka dhuruar publikut  shqiptar, ka  gjetur e prekur tema të cilat preknin thellë vetëdijen e shqiptarëve nëpër vite e realitete krejt antonime nga njëra tjetra.

Të veçanta të Fitnetes janë pjesëmarrjet e saj në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

E lindur në Strugë dhe e rritur në Kosovë, në vitin 1993, pas situatës së vështirë politike në Kosovë, Fitnete Tuda bashkë me familjen e saj kthehet në Strugë. Vëllau i saj e hap kafiterinë ‘U2’ – me emrin e grupit të njohur irlandez, këngët e të cilit dëgjoheshin shumë ato vite në Kosovë, me tekstet sinonim të lirisë. Duke e dëgjuar këtë muzikë, ajo frymëzohej për të krijuar këngët e saj të muzikës pop.

Ndërkohë, të mbështetur nga babai i tyre, bashkë me vëllain Uranin, hapën edhe radion Art Kanal, e cila ato vite bashkë më Radio Erën ishin ndër radiot e para të pavarura në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Me po këtë radiostacion, ata në vitin 1995 organizojnë  festivalin e muzikës së lehtë ’Vera e Strugës’ ku morën pjesë edhe artistët si Aurela Gaçe e Aleksandër Gjoka.

“Unë muzikën e kisha ëndërr në sirtar. Këndoja për vete dhe kur i  takova këta artistë u frymëzova edhe më shumë. Ishte Zhani Ciko asokohe, i cili më shtyu që të konkurroja në Festivalin e RTSH-së, dhe duke qenë se isha rritë me festivalet thash ta provoj fatin” më tregon Fitnetja.

Këtu do të niste rrugëtimi i bukur për Fitneten. Shumë prej nesh e kujtojmë këngën “Rrugë” – debutimin e Fitnetes në Festivalin e RTSH-së në vitin 1995. Për çudinë e Fitnetes, kënga pranohet dhe kualifikohet për natën finale. Tekstin e Fitnetes do ta dëgjonte të shkrirë në këngë tërë Shqipëria e shqiptarët kudo.

https://www.youtube.com/watch?v=1eJxXfKARQk

“Këndova atë natë, dhe të nesërmen kur dola në rrugë, njerëzit më përshëndesnin, te Pallati i Kongreseve në Tiranë më kërkonin autograme, ndërsa unë s’po besoja!  E pashë që njerëzit ishin prekur shumë nga ajo këngë dhe e kishin pëlqyer. Ishte ajo koha kur shumë shqiptarë po iknin jashtë vendit të tyre, për të kërkuar një jetë më të mirë.  Ato vite, ishin vite të ikjeve të mëdha të shqiptarëve nga Kosova e Shqipëria, ndërsa unë e shihja veten në mes të një udhëkryqi, ku para dhe pas kishte rrugë, si te refreni i këngës. Kënga hyri në finale, u bë hit dhe transmetohej çdo ditë në Radio e në Televizionin Shqiptar” tregon Fitnetja.

Nga Struga, Tiranën e kishte më afër se Prishtinën dhe do të udhëtonte shumë më shpesh. Shumëkush ka menduar që Fitnetja studionte në Tiranë, ndërsa plot e kanë pyetur nëse ajo ishte me origjinë nga atje.

Festivali në Televizionin Shqiptar në vitin 1995 do ta inspironte Fitneten të rikthehej në edicionin e vitit tjetër. Po flasim për një festival të fuqishëm, me traditë, festival që edhe atëherë edhe sot përcillet me vëmendje dhe ka respektin e adhuruesve.

Shiu i rrëmbyeshëm në Tiranë gjatë dhjetorit të vitit 1995 i kishte mbetur si një mirazh në mendjen e saj. Vetëm në shtatorin e vitit 1996 ajo do ta krijonte e realizonte këngën “Shi bie në Tiranë”. Këtë refren e kishte kënduar një ditë shtatori derisa po ecte bregut të liqenit në Strugë. Ai liqen përrallor të cilit i ka kënduar Lasgushi, i krijon Fitnetes një gjendje shpirtërore ujore, ndoshta ngaqë në horoskop është gaforre. Si me shaka këto i thotë e qeshur e plot jetë, Fitnetja.

“Ky shiu më ngacmoi pak. Ne kaluam aq bukur në festivalin e parë debutues dhe isha shumë e frymëzuar.  Isha mes andrrës dhe realitetit. Megjithatë më mbeti në mendje motivi i shiut. E kisha këngën në mendjen time, ndërsa për inçizim erdha në Prishtinë, e realizova me orkestruesin Ilir Bajri. Kur shkuam në festival, tekstshkruesi i njohur tani i ndjerë – Alqi Boshnjaku e dëgjoi këngën dhe më komplimentoi, se si mundet një gocë  nga Struga, të vinte në Tiranë të  ‘vidhte’ motivin e bukur e të këndonte  për shiun e Tiranës. Kjo këngë lirike e dashurisë,  madje nuk ka marrë as çmim në festival, ndonëse për shumë pak pikë,  të cilat nuk m’i dha juria e Maqedonisë – shkaku i një xhelozie provinciale e primitive, e humba vendin e tretë ose të dytë, s`më kujtohet saktë. Kënga ‘Shi bie në Tiranë’, sa më shumë kohë që kalon dëgjohet dhe mbahet në mendje më shumë, duke u kënduar nga shumë këngëtarë të tjerë” më tregon Fitnetja në intervistën tonë në oborrin e Radio Kosovës.

https://www.youtube.com/watch?v=r5kE8uUy-Fo

Të vetmin çmim që Fitnetja e ka marrë në muzikë duke qenë edhe autodidakte, është çmimi për kantautoren më të mirë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar në vitin 1997, me këngën “Një ditë”.

Në vitin 1998 Fitnetja e vazhdon maratonën e pjesëmarrjeve të saj në Festivalin me nam.

Kësaj here i erdhi radha tekstit “Shpresa”, një këngë të cilën Fitnetja  ia kushton nënës së saj – Shpresa Vinca Tuda, shkrimtare për fëmijë, e cila ndërroi jetë shumë e re – në moshën 42 vjeçare. Këtë këngë ajo ia kushton nënës së saj dhe shpresës si ndjenjë  njerëzore, hyjnore, siç  shprehet në këngë.

Në vitin 1999, me kompozimin e Fitnete Tudës e realizoi një këngë Rovena Dilo, dhe morri pjesë pikërisht në Festivalin e Dhjetorit – siç e quajnë shpesh, me titullin “Më ndihmo të jetoj”.

Fitnetja vazhdoi me pjesëmarrjet e ndryshme muzikore. Në vitin 1999 dhe më pas në vitin 2003 ajo morri pjesë në festivalin ‘Kënga Magjike’.

Fitnetja e mendon përditë rikthimin në muzikë

Fitnetja e mendon shpesh rikthimin në muzikë, ndonëse thotë se rikthimi ndoshta është më i vështirë se fillimi!

“Ekziston një lloj psikologjie e tillë, që këngëtarët e vjetër të cilët i kanë dhënë shpirt festivalit janë tërhequr nga festivali. Alma Bektashi, Mira Konçi, Aleksandër Gjoka, Elsa Lila, këngëtarët duket sikur herët dalin në pension, e ndjej mungesën e këtyre këngëtarëve”

“Unë edhe pse nuk jam paraqitur para publikut, kam krijuar, kam shumë demoinçizime!  Një ditë  komunikova me një mike timen në internet, dhe duke e parë sa shumë është zhgënjyer nga njerëzit dhe duke pare dashurinë e saj për lulet, është aq e lidhur sa  flet me to, i kultivon ato, i thashë se ajo iu beson vetëm luleve!  Por meqë në horoskop jam gaforre, edhe këngët i bëj ngadalë, si gaforre. Ky është motivi i njërës prej këngëve të reja” tregon Fitnetja.

Këtë 6 shtator, ajo është ftuar nga grupi 403, në koncertin që  do të mbahet në amfiteatrin e Gërmisë, ku bashkë më Hektor Gjurgjialin do të këndojnë këngën “Ëndrra”. Që nga koha e studimeve të letërsisë, në Prishtinë, Fitnetja ka shkruar poezi, dhe ka një përmbledhje me poezi, të cilën nuk e ka publikuar.

“E kam peng, që nuk e kam publikuar një album muzikor, ashtu siç është libri për një shkrimtar, ashtu është albumi për një këngëtar. Këngët e festivaleve, me një orkestrim të ri, bashkë më këngët e reja, do të dëshiroja t’i përmbledh në një album. E dua shumë edhe letërsinë, leximi dhe shkrimi më përmbush dhe më bën të ndjehem më e plotë, të shkruaj prozë, kjo është sfida më e bukur, nuk i dihet, ndoshta do të kenë sukses si këngët” rrëfen Fitnetja.

Sot fëmijët dhe familja, Fitnetja thotë se janë muzika më e bukur e jetës së saj. Fitneten e lëmë në punën dhe angazhimet e saj, duke pritur të kthehet në skenë me këngët e reja dhe me fjalët e meloditë që në mendjen e saj nuk kanë të sosur.

*

Festivali i Fundvitit në RTSH – siç njihet ndryshe edhe si Festivali i dhjetorit apo Festivali i Këngës në RTSH, edicionin e parë e mbajti në dhjetor të vitit 1962. Festivali organizohet vit për vit, ndërsa është ndër festivalet më të vjetra në Evropë të këtij formati. Këtë vit do të mbahet edicioni i 58-të i Festivalit.

Në tërë këto vite, në këtë festival kanë parakaluar emrat më të mëdhenj të muzikës shqipe. Vaçe Zela, ndoshta zëri më i mirë shqiptar që ka ekzistuar ndonjëherë – këngëtarja e njohur dhe artistja e popullit, e ka fituar festivalin plot 11 herë, që prej edicionit të parë, ndërsa fitoren e fundit e pati në vitin 1980. Këngët që kanë marrë pjesë në këtë festival, pa rëndësi nëse kanë fituar ose jo, dëgjohen edhe sot. Këngët “Flakë e borë” – e kënduar në festival në vitin 1963, “Vajzat e fshatit tim” e sjellë në festival në vitin 1974, “Këputa një gjethe dafine” –këngë e festivalit në vitin 1978, “Ante i tokës sime” në vitin 2000, janë vetëm disa prej këngëve të cilat nuk harrohen dhe janë pjesë e repertorit brenda festivalit. Ndër vite, meqë në Kosovë nuk kishte një festival të përmasave të tilla dhe meqë këngëtarët donin edhe ta shprehnin në forma të ndryshme dashurinë për Shqipërinë, plot këngëtarë shqiptarë edhe nga jashtë Shqipërisë realizuan performancat e tyre në festival.

Gili
Gili, këngëtare e njohur nga Kosova, ka marrë pjesë disa herë në Festivalin e TVSH-së. Dy prej paraqitjeve të cilat ende kujtohen dhe sjellin nostalgji janë ajo e vitit 1996, kur Gili këndoi “Ding dong”, dhe një vit më vonë edhe paraqitja me këngën “Sikur të isha djalë”.

Mihrije Braha
Këngëtarja Mihrije Braha, emocionin e pjesëmarrjes në skenën e madhe të Festivalit të RTSH-së e provoi disa herë. Në vitin 1992, në edicionin e 31-të të Festivalit, ajo këndoi ‘Ta fala zemrën time’. Në vitin 1995 ajo u rikthye në festival me këngën ‘S`mund të jetoj pa ty’ – një tekst nga Mentor Gjurgjeali dhe orkestrim i Nexhat Mujovit – Virusit.

https://www.youtube.com/watch?v=ZbCoRVZe04o

Edona Lalloshi
Edhe Edona Lalloshi, këngëtare e njohur ndër shqiptarë, nga Kosova udhëtoi për në Tiranë për tu bërë pjesë e Festivalit të Dhjetorit. Në vitin 1994 ajo morri tekstin e Hil Mosit dhe e shkriu atë në këngën “Vajtim Dashurie”, ndërsa vitin që pasoi këndoi këngën ‘Kthemi ëndrrat’, në Festivalin e 34-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

https://www.youtube.com/watch?v=MHKLMuyGUrk

Alma Bektashi
Edhe Alma Bektashi e konfirmon se këngëtarët nga Kosova për vite me radhë i kanë sjellë risi dhe freski këtij festivali. Përmendet sidomos kënga “Zhgënjimi” me të cilën Alma Bektashi la gjurmë në repertorin e festivalit. Me Aleksandër Gjokën ajo morri pjesë në festival në vitin 1994, me këngën ‘Ti nuk më tradhëton’, ndërsa në vitin 1995 morri pjesë e vetme me këngën ‘Kështu e ka jeta’.

https://www.youtube.com/watch?v=fXT7LN6bGps

Alberije Hadërgjonaj
Jo shumë këngëtarë nga Kosova kanë triumfuar në këtë festival. Alberije Hadërgjonaj ia arriti të bëhej e para kosovare që në vitin 1998 fitoi në festival me baladën ‘Mirësia dhe e vërteta’, një këngë e fuqishme për njerëzimin dhe e cila u lidh edhe me luftën që do të shpërthente në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Alberija është paraqitur në festival edhe me këngët “Pse vonon dashuri” dhe më këngën “Jeta nuk është lodër”.

Rona Nishliu
Rona Nishliu e ka provuar më vonë emocionin e skenës së festivalit. Para shumë vitesh ajo bashkë me Vesa Lumën dhe Teuta Kurtin, pas sukseseve në ‘Ethet e së premtes mbrëma’ u ngjitën në skenë me këngën “Flakareshë”. Megjithatë, suksesi për Ronën erdhi kur triumfoi në festivalin e vitit 2011-të, me këngën “Suus”.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ).  

Të ngjajshme