10 Prill, 2025 - 6:30 pm
Flonja Haxhaj
Pianistja kosovare, Adea Badivuku, po vazhdon përkushtimin e saj dhe punën drejt suksesit në fushën ndërkombëtare. Në një rrugëtim të frymëzuar nga pasioni dhe përkushtimi ndaj muzikës, Badivuku po shkëlqen jo vetëm si interpretuese, por edhe si pedagoge e dalluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.
Ajo së fundi, në një intervistë për KultPlus, ka rrëfyer për sukseset e saj të vitit 2024 dhe për planet që e presin gjatë këtij viti, arritje këto që e pozicionojnë atë si një emër të rëndësishëm në fushën e pedagogjisë muzikore ndërkombëtare.
Puna e saj e palodhshme si mentore ka marrë vlerësim edhe nga një prej emrave më prestigjioz në botën e pianos. Ajo është përzgjedhur si fituese e çmimit “Mësuesja e vitit për vitin 2024” nga Steinëay & Sons, një çmim që ndahet për një numër të kufizuar pedagogësh në SHBA për kontributin e tyre të spikatur.
“Ndjej një nder të veçantë që jam përzgjedhur për këtë çmim nga një institucion kaq i respektuar si Steinëay & Sons”, theksoi Badivuku.
Po ashtu, një sukses tjetër i Badivukut, i arritur së fundi është është edhe çertifikimi kombëtar si Mësuese Muzike në Piano nga Music Teachers National Association (MTNA) – një njohje e lartë që reflekton standardin maksimal të profesionalizmit në edukimin muzikor në SHBA.
Ajo në intervistën e saj shprehet e lumtur për këtë çertifikim dhe dyert që hap ky hap i rëndësishëm për të.
“Ky çertifikim është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin tim si pedagoge dhe një konfirmim i përkushtimit tim ndaj mësimdhënies dhe zhvillimit të studentëve të mi,” thotë Badivuku.
Përveç angazhimit në mësimdhënie, Badivuku mbetet aktive edhe në sferën kërkimore dhe performuese. Në korrik, ajo do të përfaqësojë Kosovën në National Conference on Keyboard Pedagogy (NCKP) në Çikago, një nga konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e pedagogjisë pianistike.
“Prezantimi im do të trajtojë teknikat e zgjeruara në piano dhe lidhjen mes gjuhës trupore dhe interpretimit bashkëkohor. Synoj të ndaj qasje të reja që lidhin gjuhën trupore me shprehjen muzikore në repertorin kontemporan,” thotë Badivuku, duke shtuar më tutje se pret që ky prezantim të tërheqë vëmendje të veçantë.
Po ashtu, suksese e Badivukut, nuk përfundojnë më kaq. Një tjetër hap të rëndësishëm ndërkombëtar, Badivuku është përzgjedhur të marrë pjesë në laboratorin ndërdisiplinor “Spatial Spheres: 3D-Audio Art Lab” në Gjermani, ku artistë dhe studiues nga mbarë bota eksplorojnë mundësitë e reja të artit të tingullit në hapësira tredimensionale.
Me një profil gjithnjë e më të dukshëm në botën muzikore, Adea Badivuku mbetet një shembull frymëzimi për të rinjtë kosovarë dhe një zë i rëndësishëm në fushën ndërkombëtare të muzikës dhe edukimit artistik.
Aktualisht, ajo është në përfundim të studimeve të doktoraturës në Piano Performance në Universitetin e Nevadës në Reno, dhe po përgatitet për mbrojtjen e disertacionit të saj.
“Ky kapitull i rëndësishëm përmbyll një periudhë intensive studimi dhe më jep një shtysë të re për të vazhduar misionin tim si performuese dhe pedagoge e përkushtuar e muzikës pianistike,” përmbyll Badivuku për KultPlus./KultPlus.com