25 Dhjetor, 2020 - 9:21 am
Poezia e famshme e Naim Frashërit, “Fjalët e Qiririt” të cilën Ilir Shaqiri e ka kthyer në këngë, së fundmi ka ardhur në versionin cover, shkruan Kultplus.
Nën prodhimin e Radio Televizionit të Kosovës, vokalistët Teuta Kurti, Florent Abrashi, Altin Kuçi sjellën magjishëm nëpërmjet zërave të tyre një formë ndryshe të kësaj kënge.
Mesazhin e poezisë e fuqizuan edhe më shumë basistët e Tony Drums Studio, të cilët tanimë janë të njohur për interpretimet fantastike të tyre, si dhe Bendi i RTK-së.
Përndryshe, versioni nën moton “Bashkë bëjmë dritë” ka të realizuar edhe një videoklip, e cila sjell performancën e drejtpërdrejtë të këngëtarve dhe bendeve.
Përveç kësaj, videoklipi nis me performancë artistike nga aktorët Bislim Muçaj dhe Zana Berisha, të cilët recitojnë poezinë e famshme të Frashërit.
Në disa sekuenca shfaqet edhe sheshi plotë drita i Prishtinës, por që ka mbetur pa njeri për shkak të kufizimit të lëvizjes, e që këto pamje i zbukurojnë balerinët Behije Murtezi, Driton Saqipi me artin e tyre.
“Fjalët e qiririt” përherë do të mbetet një perlë për letësinë dhe muzikën shqiptare. / KultPlus.com