8 Janar, 2023 - 10:44 am
Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho ka performuar në Metropolitan Opera në New York.
Jaho ka risjellë Violetën, në veprën e famshme të Giuseppe Verdit, Traviata, personazhin që e ka ngjitur në skenat më të mëdha botërore, përkrah tenorit Ismael Jordi dhe baritonit Amartuvshin Enkhbat.
Jaho ka ndarë në rrjetet sociale një detaj që i ka dhuruar edhe më shumë emocione gjatë shfaqjes në New York.
Një flamur shqiptar teksa publiku duartroket performancën e saj e ka bërë të ndihet edhe më pranë Shqipërisë.
“Publiku i Metropolitanit gjithmonë më bën të ndihem si në shtëpinë time, por kur shikon një flamur shqiptar, ajo ndjenjë dyfishohet. Kushdo që valëviti atë flamur, të falënderoj që më solle një pjesë të zemrës time”, thekson Jaho.
Ermonela Jaho ka performuar në shumë opera të botës, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera de Marsejë, Arena di Verona, Teatro Verdi di Trieste, Teatro La Fenice,Teatri Capitoul de Toulouse, etj. Ka interpretuar në teatrot “Aligheri”, Ravena, “Piçolo”, Scala-Milano dhe në shumë skena të tjera botërore./atsh /KultPlus.com