10 Mars, 2023 - 2:50 pm
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi ka njoftuar se të enjten më 16 mars do të shfaqet opera “Flauti magjik” (version i përmbledhur).
Shfaqja do të jetë një bashkëpunim me produksionin artistik “Dragoi Blu-Tiranë” me pjesëmarrjen e disa nga artistët e (TKOBAP) dhe solistët e rinj-studentët e UART-dega e Kantos (Këndimit).
Flauti Magjik, është një operë në dy akte nga Wolfgang Amadeus Mozart, në një libret gjerman nga Emanuel Schikaneder.
Vepra është në formën e një Singspiel, një formë popullore gjatë kohës që u shkrua dhe që përfshin si këndimin ashtu edhe dialogët.
Opera u performua për herë të parë më 30 shtator 1791, vetëm dy muaj përpara se kompozitori gjenial Mozart të ndahej nga jeta.
Flauti magjik, vazhdon të jetë një nga operat më së shpeshti të shfaqura.
“Flauti magjik” vjen më 16 mars 2023, ora 19:00, në Klan Arena në Prishtinë. / KultPlus.com