18 Prill, 2019 - 11:50 am
Gili Hoxhaj
Ka një dekadë që luajnë bashkë por rrugën me muzikën e nisën shumë herët edhe pse në instrumente të ndryshme. Nga përvoja e tyre kuptohet se kanë eksperimentuar mjaft në muzikë derisa kanë gjetur veten dhe njëri- tjetrin. “Kyle Dillingham & Horseshoe Road” quhet folk grupi amerikan që po e shpërndajnë muzikën amerikane në vende të ndryshme të botës. Kosova ka qenë “shtëpia” e tyre për pesë ditë radhazi, në ditët e para të muajit prill. Loja e muzikaliteti i tyre i veçantë ka lëvizur në disa qytete të Kosovës, ata janë prezantuar me koncerte në Mitrovicën e Veriut, në Prizren, Gjakovë e në dy mbrëmje në Prishtinë. Kosova shenon një vend më shumë në hartën e tyre të udhëtimeve që e kanë përjetuar përmes “American Music Abroud”.
Grupi nga Ohklama përbehet nga Kylle Delingham që luan në violinë e që është figura kryesore e bendit. Kyle Dillingham në skenë shoqërohet nga kitaristi dhe vokalisti i bendit Peter Markes dhe kontrabasisti dhe vokalisti Brent Saulsbury. Instrumentistët e vokalistët Markes e Sausbury e përshkruajnë Dillingham si një muzikant që gjendet “një në milion”, e në performancat e tyre kurrë nuk e kanë drojën që diçka nuk do të funksionojë me të. Mes buzëqeshjes Delingham shpreh të njëjtin nder për të punuar me dy instrumentistët e vokalistët e tjerë.
“Të luash me këta dy është një shansë që të vjen një herë në jetë”, thotë Dillingham.
KultPlus e ka takuar grupin në ditën e parë të qëndrimi të tyre në Kosovë, ndërsa ka biseduar më shumë për energjinë që ata bartin në skenë e misionin që përpiqen ta përçojnë përmes muzikës e programit “American Music Aboroad”. Për të dhënë përshtypje të mira për vendin e tyre, grupi nga Ohklama thonë se nuk e kanë pasur të vështirë në Kosovë, madje për këtë janë bindur qysh në minutat e parë kur kanë zbritur në aeroport.
“Misioni është të ndajmë muzikën tonë me sa më shumë njerëz që është e mundur dhe të krijojmë përshtypje të mira për Amerikën. Në Kosovë kemi parë shumë njerëz që e duan Amerikën me zemër. Kur kemi zbritur në aeroport, kishim një eksperiencë interesantë dhe përderisa ndodheshim në një rend të gjatë, agjenti i shërbimeve na pyeti se prej nga vini, i treguam që vijmë nga ShBA-ja dhe na tha “ejani, ejani, e admiroj atë që e keni bërë për vendin tim” dhe kështu që ne u kursyem nga rendi i gjatë. Këtu nuk ka qenë e vështirë të krijojmë përshtypje të mirë për Amerikën, çka edhe është misioni ynë të krijojmë eksperienca dhe përshtypje të mira për Amerikën me vendet e tjera”, tregon Dillingham për KultPlus.
Interpretuesit amerikanë të muzikës folk, “Kyle Dillingham & Horseshoe Road” që kanë qëndruar në Kosovën nga 3 deri më 8 prill në kuadër të një programi të mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në partneritet me Zërat e Amerikës – Muzika Amerikane Jashtë Vendit, krahas koncerteve programi i tyre ka qenë i ngjeshur me punëtori për nxënës në tërë Kosovën.
“Në mendjen e shumicës së amerikanëve, ju siguroj që Kosova është një vend që është vështirë të imagjinohet. Por pas qëndrimit një javor në Kosovë, unë ndihem keq që nuk kam pasur mundësi që këtë vend ta vizitoja më herët. Këtu përjetuam mjaft ngrohtësi dhe njerëzit na mirëprisnin kudo që shkonim, e ndjeja dashurinë e sinqertë e njerëzve dhe dukej si një lidhje e natyrshme mes tyre dhe neve”, tha Dillingham për KultPlus pas kthimit të tij në Amerikë.
Kyle Delingham për KultPlus ndau edhe rrëfimin e fillimeve të tij në muzikë. Ai e kishte kapur violinën kur kishte qenë veç nëntë vjeç. Derisa kishte qenë akoma në shkollë të mesme, Dillingham është paraqitur dy herë në Nashville’s Grand Ole Opry dhe ka performuar me legjendën Roy Clark dhe Hank Thompson. Më vonë kishte marrë titullin Bachelor në muzikën e performancës instrumentale nga Universitetit i qytetit të Oklahomas. Muzika e tij që kishte udhëtuar në 37 vende të botës, i ka dhënë atij titullin “Ambasadori Muzikor i Oklahomas”.
“Prindërit e mi fillimisht nuk dinin asgjë për violinën kështu ata gjetën një mësues të violinës, fillimisht më interesonte muzika ëestern sëing dhe kështu kalova goxha kohë duke u munduar që ta mësojë këtë lloj të muzikës dhe përgjatë rrugës takova shumë njerëz që më ndihmuan që të rritem muzikalisht dhe në të njëjtën kohë mësoja edhe për një program për muzikën e harqeve në një shkollë publike”, tregoi për fillimet e tij Delingham në një intervistë për KultPlus.
“Zemra, shpirti im dhe rrënjët e mija janë gjithnjë në muzikën folk të vendit tim dhe jam shumë i lumtur që e shpërndaj këtë muzikë gjithkah në botë. Muzika amerikane e ka influencën në mbarë botën dhe jemi të impresionuar kur e shohim që muzika “country” ka depërtuar në shumë vende dhe shumë studentë dijnë për të”, tha tutje Dillingham.
Peter Markes: Kur e mëson një instrument, e mëson një gjuhë të re
Peter Markes kishte filluar me pianon kur kishte qenë veç tre vjeç e me violinë ishte marrë qysh kur kishte qenë katër vjeç, ai thotë se kur e mëson një instrument, e mëson një gjuhë të re pasi që fillimisht e dëgjon atë dhe pastaj mëson ta thuash atë. Kur kishte qenë 11 vjeçar kishte mësuar kitarën, duke ia shtuar një gjuhë të re aftësive të tij muzikore, e duke iu bashkuar bendit të shkollës.
“Kur filluam të luajmë së bashku me Kylen, të dy luanim kitarë dhe violinë dhe ishim në gjendje të luanim çfarëdo që dëgjonim dhe pastaj Kyle filloi të formojë bendin në 2005, disa anëtarë e lanë atë kurse Brent Saulsbury ishte një nga instrumentistët më të mirë në 2007-ën dhe unë u bëra instrumentist i kitarës në 2009, kështu ne filluam të luajmë së bashku në vitin 2007 , kjo ishte edhe koha kur u largova nga të dhënit mësim kështu që mund ta bënim këtë që bëjmë tani, pra të udhëtojmë gjatë gjithë kohës”, tregon Markes.
Dillingham thotë se misioni i tyre nuk është vetëm shpërndarja e muzikës vende të ndryshme të botës por që përmes kësaj edhe të krijojnë një eksperiencë pozitive dhe përshtypje të mirë për Amerikën, ndërsa theksoi se misioni i tyre personal lidhet me besimin e tyre plotë në atë që muzika mund të ndryshojë jetën e njeriut duke qenë se sipas tyre muzika mund të ndryshojë gjithçka.
“Ne veç besojmë se duke qenë këtu dhe në vende të tjera të botës, ne kemi një mundësi pranë vetes për të inspiruar njerëzit dhe kështu duke i ndihmuar audiencës që e takojmë që të shërohet nga ajo që ata e përjetojnë. Besoj që muzika mund t’i bëjë këto gjëra. Një djalë i ri, në një ëorkshop na tha “çfarë ju bëtë dhe çfarë thatë ju sot me të vërtetë ka ndryshuar mënyrën e të menduar, veçmas të mësuesve” e kjo është shumë e rëndësishme për të ndikuar mënyrën se si dikush mendon”, tregoi tutje violinisti i njohur Kyle Delingham.
Performancat si një përqafim me publikun
Performancat e “Kyle Dillingham & Horseshoe Road” tregojnë se interpretimi i tyrë në skenë është më shumë se vec një performancë më shumë, për ta interpretimi para audiencës është një depërtim në botën e tyre.
“Kur e takojmë dikë dhe na dëgjon duke luajtur ne mundohemi ti influencojmë që të bëhen më të mirë. Çdo kush që vjen në koncertin tonë, vjen për arsye të ndryshme. Çdokush është duke u përballur me diçka në jetë, dikush është duke përjetuar diçka që e mërzitë e dikush është duke festuar për diçka, ose janë vetëm të lodhur ose të dëshpëruar, pra njerëzit përballen me probleme të ndryshme në tërë botën. Shpresojmë që sado pak do të shërbejmë si një lehtësim për ta, që përmes muzikës t’i dërgojmë ata në një tjetër botë dhe t’i inspirojmë ata”, u shpreh Delingham në një intervistë për KultPlus. Duke qenë gjithnjë në lëvizjes, Delingham thotë se se përmes programit “American Music Abroud”, jetët e tyre kanë ndryshuar mjaft shumë dhe përvec se prezantojnë vendin e tyre në vende të tjera të botës, ata marrin edhe eksperiencat nga këto vende për t’i prezantuar në vendin e tyre.
“Në kuadër të këtij programi kur ne kthehemi në vendin tonë ne e prezantojmë në njëfarë forme atë që e kemi gjetur në Kosovë, pra përshtypjet tona nga këtu. Kudo që të shkosh kur je pjesë e programit American Music Abroud ose je duke udhëtuar, gjithmonë je duke prezantuar diçka më shumë se veten tende. Dhe kjo të bën të vetëdijshëm se kë një mundësi unike para vetes dhe në rastin tonë, ne jemi duke prezantuar Ambasadën Amerikane në Kosovë dhe kjo të jep më shumë përgjegjësi, kështu që është e rëndësishëm t’i thuash vetes “bëhu vetja dhe shfrytëzoje këtë mundësi për të prezantuar diçka më shumë se veten tënde”, shpjegoi Delingham.
Qëllimi dhe energjia pozitive që ata përçojnë, Delingham mendon se është shumë e rëndësishme. Muzikën ai e sheh si një përqafim mes njerëzve ndërsa thotë se pas performancës realisht edhe ata e praktikojnë që ta kenë një përqafim me publikun.
“Kur e mar instrumentin dhe luaj me të, jam duke ia dorëzuar gjërat Zotit dhe besoj që Zoti përmes nesh po punon për të sjellë diçka më shumë se sa që jemi ne. E gjithë kjo nuk është veç art, është jetë është dashuri”, Delingham tha në një intervistë për KultPlus.
Kitaristi dhe vokalisti i bendit Peter Markes po ashtu mendon se muzika është çelësi i një komunikimi të suksesshëm. Ai thotë se njerëzit mund të takohen për qëllime të ndryshme e edhe ata kanë qenë pjesë e shumë takimeve që nganjëherë tingëllojnë si “të përgjumuara”, e të tensionuara, por kur muzika ka qenë qëllimi i takimit të tyre e kryefjala e komunikimit atëherë çdo gjë ka ndryshuar.
“Aty i sheh njerëzit tek përqafohen e buzëqeshin, kështu që mendoj se muzika e thyen akullin. Kur e viziton një vend tjetër, e kupton që asgjë s’ka të bëjë me politikë, kur shkon në aeroport i sheh mijëra njerëz dhe të gjithë ata kanë një lider politik që i udhëheqë por më e rëndësishmja përtej kësaj është lidhja mes njerëzve. Nga programi “America Music Abroud”, asnjëherë s’jam ndarë i dëshpëruar”, tregon Markes.
Flokëgjatë e më një shprehje më të mbyllur të fytyrës, Kontrabasisti dhe vokalisti Brent Saulsbury arrin që shpejtë të mposhtë përshtypjet e para me entuziazmin që prezanton posa nis të flas për punën e tij. Pamja dhe zëri i tij menjëherë të bindin për lidhjen e tij me muzikën rock, me çka kishte nisur krejt rrugëtimi i tij muzikor.
Qysh prej moshës pesë vjeçare, Saulsbury ishte përcaktuar më shumë në muzikën “rock and roll” ndërsa kur ishte bërë 12 vjeçar kishte filluar të merrej më saksofon dhe pastaj me tambur. Me këto instrumente dhe me kitarë kishte luajtur gjatë shkollës së mesme ndërsa para dhjetë viteve ishte takuar me dy anëtarët e grupit me të cilët luan sot.
Brent Saulsbury thotë se udhëtimi nëpër vende të ndryshme i ka ndihmuar për ta kuptuar se sa të ngjashëm janë njerëzit edhe pse jetojnë në vende të ndryshme të botës.
“Të luash me instrumentistë lokal, të ndash me ta eksperiencën tënde është një përvojë e mrekullueshme” thotë Saulsbury.
Violinisti Delingahm pas largimit të tij nga Kosova thotë se qëndrimi këtu e ka bindur që kjo nuk do të jetë hera e tij e fundit e ardhjes në Kosovës
“Për të gjithë miqtë e mi të rinj që mund të lexojnë artikullin tuaj, dëshiroj tu them që edhe unë i dua shumë, shpresoj që të kthehem sa më shpejtë dhe të jemi përsëri bashkë”, përfundoi Delingham./ KultPlus.com