8 Gusht, 2018 - 9:28 pm
Fondacioni Sunny Hill sot ka ndarë 100 mijë euro për organizata dhe festivale të ndryshme në Kosovë.
Shtatë organizata që punojnë me persona me aftësi të veçanta – përfshirë këtu Doën Syndrome Kosova, Hendikos, Atomi dhe Shoqata e Autizmit, janë në mesin e organizatave që kanë përfituar nga Fondacioni Sunny Hill, i formuar pas koncertit të para dy vitesh të këngëtares Dua Lipa.
Sot, në një konferencë për media, Dukagjin Lipa nga Sunny Hill Foundation ka treguar se 100 mijë euro do të ndahen në këtë herë të parë të ndarjes së parave.
Fonde kanë marrë edhe DamFest, ChopinFest, Teatri Dodona e Siparantum Choir ndërsa këtu përshihen edhe pesë shkolla të muzikës në qytete të ndryshme të Kosovës.
Qëllimi i Fondacionit Sunny Hill është dhurimi i parave për ndihmë në artin dhe kulturën dhe mirëqenien në Kosovë.
Të gjithë përfituesit ishin sonte të pranishëm në ceremoni, aty ku ishte edhe Dua Lipa nën patronazhin e së cilës ekziston ky Fondacion. / KultPlus.com