Formacioni me 16 vajza instrumentiste, koncert në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

13 Nëntor, 2020 - 11:10 pm

Orkestra e harqeve “Sigal” u prezantua  para artdashësve durrsakë me një program të pasur veprash nga autorë të njohur, nga periudha e Barokut në atë të shekullit  të 20-të.

Formacioni i themeluar në vitin 2003 përbëhet nga 16 vajza instrumentiste, që drejtohen nga dirigjenti me përvojë Ermir Dizdari.

Pak ditë më parë kjo orkestër fitoi Çmimin e parë në Takimin ndërkombëtar të përvitshëm të harqeve që zhvillohet në qytetin e Elbasanit.

Në koncertin e djeshëm, bashkë me veprat e kompozitorëve të mëdhenj si J.S. Bach, W.A. Mozart, P.I. Tchaykovsky, F. Schubert apo Strauss, shikuesit duatrokitën gjatë interpretimin e orkestrës së harqeve në veprat e autorëve të shekulllit të 20-të “Tango” nga Astor Piazzolla dhe “Valsi nr 2” nga Dmitri Shostakovich.

Koncerti, që u realizua në mjediset e Muzeut Arkeologjik Kombëtar të Durrësit me siglën e Festivalit të 15-të Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, u ndoq nga një numër i kufizuar artdashësish për shkak të masave të marra për pandeminë COVID-19.

Edicioni jubilar i këtij festivali ka hasur vështirësi në pjesëmarrjen e artistëve të huaj, ndërsa kanë vijuar koncertet e artistëve vendas./ATSH/ KultPlus.com

Të ngjajshme