Fotoja e fundit e Usta Isuf Myzyrit

25 Qershor, 2020 - 2:25 pm

I lindur në Elbasan më 8 Mars 1881 Isuf Myzyri është një artist i rëndësishëm në historinë tonë, Artist i Popullit pas vdekjes.

Mjeshtër popullor i njohur gjithandej me emrin Usta. Krijues, këngëtar-tenor dhe interpret i shquar popullor në veglën e violinës i gjysmës së parë të shek. XX.

Në fëmijëri Isuf Myzyri punoi në zanate të ndryshme. Martohet në moshë të re dhe ndahet pas disa vitesh. Tërë jetën e tij e kaloi së bashku me të motrën e tij, dhe nuk u martua përsëri. Origjina e nënës së tij ishte nga Përmeti. Më 1905 formon formacionin e tij me vegla popullore të përbërë nga Simon Vela me çyr, Mahmut Ashiku me llahutë, Arif Çerma-Topalli me dajre, Thoma Priftin e gërnetë, Mehmet Gurra me ud, Ibrahim Zaimin me çyr bishtëgjatë, Myrteza Gracenin dhe Riza Beratin me violinë.

Megjithëse veprimtarinë e tij si krijues “Usta Isufi” e filloi në moshë të madhe rreth viteve 1927-1928, me autorësinë e Usta Isufit njihen rreth 30 këngë popullore elbasanase. Ndër këngët e kompozuara dhe përpunuara prej tij përmendim: “Në zabel të gjeta”, “Iku nata, agun malet”, “Dashunija si rrufe”, “Një lulishte me trandafila”, “Midis vetllash më ke një pikë”, “Ma mirë në pyll se në qytet”, “Si bilbili në pranverë”, “Ç’u dëshirush për me të pa”, “Spaske pasë pikë mëshire” etj.

Usta Isufit i njihet merita e ndërtimit të një repertori me këngë popullore elbasanase ku spikatin bukuria e frazës muzikore si dhe orientimi për nga vlerat e vërteta të kulturës muzikore të Elbasanit. Në vitin 1950 i jepet titulli “Dervish nderi”, nga ana e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Këngët e tij kanë kaluar gojë më gojë dhe nga njeri këngëtar në tjetrin jo vetëm në Elbasan por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë dhe tek shqiptarët e Maqedonisë.

Në vitin 1950, në qytetin e Elbasanit, formacioni muzikor i Usta Isufit ka regjistruar disa disqe me këngë popullore në një shtëpi diskografike të ish Bashkimit Sovjetik. Ndër këngëtarët e tjerë popullorë të qytetit të Elbasanit që kanë kënduar këngë popullore me formacionin e tij me vegla përmendim edhe Mitat Stringën, Leksi Vinin, Mustafa Bodinin, Rustem Sericën, Mahmut Ashikun, Arif Topallin, Met Balashin, Demir Shoren, Ali Zenën etj. Më 31.08.1978 (pas vdekjes) i jepet titulli i lartë “Artist i Popullit” me motivacionin: “Si këngëtar popullor, ka dhënë një ndihmë të shquar në pasurimin dhe zhvillimin e këngëve folklorike…”./ KultPlus.com

Të ngjajshme