Françesk Radi përjetësohet tek Liqeni Artificial në Tiranë (VIDEO)

3 Prill, 2018 - 2:37 pm

Miq, të afërm dhe dashamirës të muzikës së tij, u mblodhën sot pranë kodrave të Liqenit Artificial në Tiranë, për të përkujtuar një vjetorin e ndarjes nga jeta të kantautorit të njohur shqiptar, Françesk Radi.

Përkujtimi u shënua edhe me vendosjen e një busti të artistit, në vendin që ai deshi aq shumë në këtë qytet, ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se kantautori i njohur i muzikës shqiptare, përmes tingujve dhe teksteve të tij, ishte burim frymëzimi për shumë të rinj.

“Franko ka ndryshuar shumë jetë njerëzish, ka prekur shumë individë e ka frymëzuar shumë të rinj. Për shumë njerëz ai ka qenë edhe arsye mbijetese në një situatë shumë të vështirë, ku fjala e lirë, muzika, opinioni, bindjet e lira kanë qenë sfidë për Shqipërinë. Vetëm ata që janë trima të vërtetë marrin guximin të sfidojnë në momentet më të vështira status-quo, realitetin, gjërat që ndodhin, të provokojnë një debat, atëherë kur të bëje një gjë të tillë, të kushtonte jetën. Ai i kushtoi vitet më të bukura të jetës, e megjithatë detyra e gjeneratës sonë, e një brezi të ri që merr stafetën nga një gjeneratë tjetër, është të mos harrojë dhe të kujtojë”, tha Veliaj.

Bashkëshortja e kantautorit, Tefta Radi falënderoi të pranishmit për kujtimin e veprës së Frankos. “Për mua, për familjen, për të gjithë adhuruesit e Frankos është një kënaqësi e madhe që e lemë mes njerëzve. Ai do të mbahet mend si kantautori i parë shqiptar, si i riu që solli risinë në muzikën shqiptare, që futi modernen, për të cilën nga diktatura u dënua afro tre dekada, iu hoq e drejta e krijimtarisë në fushën e muzikës së lehtë, pa ia shuar kurrë pasionin për muzikën, sepse edhe në Pukë, edhe në Fushë-Arrëz, Frankoja punoi me të njëjtin pasion. Është një kujtim vërtet i bukur, faleminderit Bashkisë së Tiranës, faleminderit z. Veliaj për gatishmërinë. Është një mrekulli”, u shpreh mes emocionesh Tefta Radi./ KultPlus.com

Të ngjajshme