20 Tetor, 2017 - 2:33 pm
Arbër Selmani
Një zë i fuqishëm burri po këndonte rreth gjysmë ore pa nisur koncerti. Ushtrimet e vokalit janë në kërkim të perfeksionit, që publiku ta marrë emocionin më pas në formën më të përkryer, shkruan KultPlus.
E kur koncerti nisë, i njëjti zë sjellë në shqip Antonio Caladara. “Ti pa mëshirë” e nisi mbrëmë koncertin e tretë të Festivalit të Muzikës Kamertale Kamerfest në kryeqytet, me Frano Luffin në bass dhe Klevis Gjergjin në piano. Dyshja, me përjashtim kur në skenë doli edhe Sihana Badivuku në përcjellje, për rreth 90-të minuta e mbajtën publikun në ethe duke e mbizotëruar skenën e vogël në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet.
Dyshja nga Shkodra erdhën me një repertor që të gjuante emocionalisht nga Mozarti, te Shuberti, tek kënga popullore shqipe “Moj e Vogël”, e deri tek Prenk Jakova dhe një prej kohëve të Operës së njohur Skanderbeg.
Frano Lufi tregoi se në Kosovë ka interpretuar edhe para dhjetë vitesh dhe se kësaj radhe është kthyer në partiturat e fillimit të jetës së tij si këngëtar, për ti sjellë ato në Prishtinë.
“Kur u ftova për këtë festival, thashë me vete pse mos ta sjellë ushtrimin tim të parë të kantos në Shkodër, dhe më pas shkova në partiturat e mia të hershme të cilat janë përkthyer edhe në shqip. Sonte, pos këtij publiku të veçantë të cilin e falënderoj tej mase, duhet të falënderoj edhe përkthyesit e këtyre veprave, emrat e të cilëve shpesh nuk figurojnë në vepra. Meritat i takojnë Luigj Gurakuqit, Haki Bejlerit e përkthyesve të tjerë” tregon për KultPlus Lufi.
Programi muzikor i përgatitur këtë natë u shpjegua paraprakisht çdo performance nga vetë Frano Lufi. Lufi, i lindur në Shkodër, shpërngulet në Itali në vitin 1992, për të vazhduar me paraqitjet e tij në Romë, Verona, Napoli, Genova, Parma, për të arritur edhe deri në teatrin prestigjioz “La Scala” në Milano. Ai ka performuar në operat “Cenerentola”, “Falstaf”, “Lucia e Lamermurit”, “Don Giovanni”, “Aida”, “Boheme”, “Madama Butterfy” e role të tjera.
Krahas tij, jo më pak i saktë e i përjetuar erdhi Klevis Gjergji. Shkodrani i lindur në vitin 1987, në vitin 2013-të fillon studimet e doktoraturës në Piano pranë Universitetit të Arteve në Fakultetin e Muzikës në Beograd, nën drejtimin e Profesoreshës Nevena Popoviq, të cilat i përfundon në vitin 2016-të.
“Për mua ishte një program që kërkonte impenjim dhe përkushtim të madh, por është nderë dhe kënaqësi ta përcjellësh një emër si Frano Lufi” tregon Gjergji.
Nuk është hera e parë për të që vjen në Prishtinë, por thotë se gjithmonë ana pianistike drejt shoqërimit të një artisti tjetër kërkon bashkim në unison me këtë artist, shkruan KultPlus.
“Nga ana pianistike duhet të bëhesh një me artistin, pastaj çdonjëri e ka stilin e vet por kërkohet pak kohë deri ta gjesh mënyrën të përshtatesh mirë. Ishte eksperiencë e bukur të kthehesha në Prishtinë, pasi më parë kam pasur edhe koncert recital e kësaj radhe shoqërova një artist tjetër” tregon Gjergji.
KamerFest do të vazhdojë me koncertin tjetër me datë 23 tetor, me fillim prej orës 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, me Militiades Cassaras në violoncello dhe Klevis Gjergjin në piano./ KultPlus.com