Fryma kozmike e një poezie të Bob Dylanit me një këngë të njohur shqiptare

24 Maj, 2024 - 10:00 pm

Bob Dylan, i njohur me emrin Robert Allen Zimmerman, lindur në 24 maj të vitit 1941 është kantautor, këngëtar, piktor dhe shkrimtar. Ai influencoi muzikën dhe kulturën popullore për 5 dekada dhe në vitin 1960 u quajt “Zëri i gjeneratës së re”. U bë shumë i njohur me këngët “Blowin in the wind” dhe “The time they are a-changin”.

Tekstet e Dylanit mbartin një domethënie të gjerë politike, sociale, filozofike duke kaluar kufijtë kombëtarë. Ai eksperimentoi në disa zhanre muzikore duke shitur anekënd botës 100 milionë disqe. Vitin e kaluar Bob Dylan fitoi çmimin Nobel në letërsi.

Një nga poezitë e tij më të bukura të këngëve të tij është dhe kjo që po ju përcjellim, shkruan Konica.al. Në fakt motivi i kësaj poezie ngjan shumë me një këngë popullore shqiptare “Bjeri gajdes, gajdexhi”, që ne po e sjellim në interpretimin e një grupi gjerman.

Zoti Dajrexhi

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Perandoria e mbrëmjes është bërë pluhur e hi
M’u tret nëpër duar tani
më la të verbër në vetmi, pa gjumë me mendje trazuar
lodhur e mërzitur deri në çmenduri, me këmbët përvëluar
të njohur asnjë s’kam takuar
Dhe e lashta rrugë e zbrazët, gjithë ëndrrat i ka dëbuar

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

më vozit edhe mua hareshëm mbi anijen tënde magjike
Shqisat më janë bjerrur, duart nuk ndjejnë prekje

Këmbët e mpira, veç për të mbathur çizmat janë në pritje
që pastaj rrugëve të endem
jam gati të shkoj kudo, jam gati të zhdukem
Në paradën time, në magjinë e vallëzimit tënd të zhytem
Që pastaj në të të tretem

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjume dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

E nëse dëgjon të qeshin, të hidhen e përdridhen nëpër diell marrëzisht
Askënd nuk ngacmojnë sinqerisht
Është thjesht një vrap në arrati
drejt qiellit që gardhe e kufij nuk njeh

Dhe nëse dëgjon përhumbur një rimë që përsëritet
e në ritmin e dajres tënde përdridhet,
është thjesht një klloun që vërtitet
një i pavlerë që nuk shqitet
është thjesht një hije që përpiqet
ta shohësh ti, se këmba-këmbës po të ndjek.

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Më zhduk pastaj nëpër rrathët e tymit të trurit tim
Përposhtë rrënojave të kohës në mjegullim

Larg gjetheve të ngrira
Tek pemët strukur e harruar,
Në plazhin me erë harbuar
Larg nga laku i shtrënguar
I të çmendurit trishtim

Do të vallezoj me duart drejt qiellit në liri
me siluetën e detit pa kufij
Zhytur në rërë si në cirk
Futur thellë nën valë me nxitim
Deri nesër, të sotmen po e le në harrim

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku te shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur une pas teje do të vij./ KultPlus.com

Të ngjajshme