14 Korrik, 2023 - 7:15 pm
Përgjatë rivierës shqiptare, kalaja e Porto Palermos është padyshim një nga destinacionet kryesore të turizmit shqiptar.
Me kalimin e viteve, kjo kala është shndërruar në një qendër shumë të rëndësishme turistike por edhe kulturore. Violinisti Olen Cesari i ka dhënë jetë projektit “Porto Palermo Festival” i cili synon të kthehet në një traditë verore, duke mbledhur çdo vit vizitorë dhe dashamirës të artit vendas dhe të huaj.
“Nuk bëhet fjalë thjesht për një festë muzike dhe arti, por edhe për mundësinë e krijimit të vetëdijes, mbi disa nga çështjet kryesore të qendrueshmërisë”, shkruan Instituti Italian i Kulturës, i cili së bashku me Ministrinë e Kulturës, është mbështetës i edicionit të tretë të “Porto Palermo Festival”.
Këtë fundjavë në kalanë mesjetare do të interpretojnë emra si Gëzim Myshketa, Kastriot Tusha, Josif Gjipali etj. Të pranishmit do të mund të kalojnë mbrëmje të këndshme nën shoqërinë e muzikës por pa harruar temën e këtij edicioni, i përqëndruar tek mbrojta e mjedisit.
Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri./KultPlus.com