1 Korrik, 2022 - 10:26 am
Nga: Rob LeDonne / The Guardian
“Nuk mund ta mendoj ndonjë këngë tjetër me trajektore të tillë si ajo që ka ndodhur me ‘Hallelujah’”, ka thënë autori Alan Light që është marrë me kryeveprën e kudogjendur të Leonard Cohenit. “Kur mendoni për himnet universale globale, si ‘Imagine’ ose ‘Bridge Over Troubled Water’, ato ishin hite të menjëhershme. Por, ‘Hallelujah’ fillimisht u refuzua nga kompania diskografike dhe më pas, kur doli, tërësisht u injorua”.
Kështu vazhdon legjenda e këngës së Cohenit që ka mahnitur breza të tërë dëgjuesish, me një mistikë dhe peshë që e bën të veçantë në analet e historisë së muzikës. Ndoshta kjo është arsyeja se pse Lighti i sipërpërmendur e shkroi një libër të tërë për këtë këngë: veprën e vitit 2012, “The Holy Or the Broken: Leonard Cohen, Jeff Buckley dhe Unlikely Ascent of ‘Hallelujah’”. Është po ky libër që shërben si bazë për dokumentarin e ri “Hallelujah: Leonard Cohen, A Journey, A Song”, që në fillim të këtij muaji u dha premierë në Festivalin e Filmit në Tribeca. Me regji dhe produksion nga Dayna Goldfine dhe Dan Geller, filmi ka qasje mikro dhe makro ndaj këngës dhe ndaj Cohenit, përfshirë vendet ku përkasin e që janë thellësisht të ndërthurura në kulturë.
“Me pak fjalë, Leonard Cohen ishte profet”, shpjegon Goldfine e cila së bashku me Gellerin ka krijuar karrierë të ngjeshur me regji të dokumentarëve që fokusohen në muzikë, përfshirë “Balets Russes” të vitit 2005 që flet për trupën ruse të baletit të fillimit të shekullit XX. “Leonardi ishte i njohur për shkrimin e përjetshëm dhe për poezinë e përjetshme që lundron përtej çdo epoke të caktuar”, ka thënë Goldfine. “I trajtoi brengat tona më të thella njerëzore, me dëshirën për lidhje dhe një lloj shprese, për transcendencë dhe njohje të vështirësive të jetës.”
Derisa “Hallelujah” mund të tingëllojë si standard i vjetër ose si ndonjë himn i lashtë i bartur nëpër shekuj, në fakt u shkrua në vitin 1983 duke e përdorur një tastierë të dobët elektrike, “Casio”. “Nuk ka ndonjë kompozitor tjetër si Coheni”, thotë Light për gjuhën që Coheni solli në artin e vet. “Qasja e tij ndaj gjuhës dhe ndaj zanatit duket ndryshe nga puna e kujtdo tjetër. Dhe, tingëllojnë si të rrënjosura në poezi dhe në letërsi, sepse fillimisht u shqua si poet dhe si romancier”. Cohen shkroi pa pushim, duke shkruar 180 vargje vetëm për këngën “Hallelujah” gjatë procesit të krijimit. Dramës së saj të qenësishme i shtohet vokali i thellë i versionit origjinal, me zërin e Cohenit që u thellua pas viteve të tëra të pirjes së duhanit.
Por, ishte “Columbia Records” – në një zgjedhje të ngjashme si “Decca Records” që dikur, më 1962, e refuzoi grupin e ri Beatles për një kontratë diskografike – ajo që merr vendimin se “Hallelujah” dhe albumi prej të cilit vinte, “Various Positions”, nuk e kishin trajtën komerciale që e kërkonin. Siç dëshmon dokumentari, Coheni u lëndua dhe albumi përfundimisht u publikua nga një kompani e pavarur. “Leonardi shihte me njëfarë habie dhe dëfrimi se si kjo këngë që ishte hedhur poshtë dhe që refuzua nga shtëpia e tij diskografike, nisi të bëhet kënga e tij identifikuese”, thotë Light për reagimin e Cohenit ndaj suksesit të mëvonshëm. “Foli disa herë se kishte ndjenja hakmarrjeje, por edhe drejtësie për mënyrën se si kënga u njoh dhe u vlerësua më vonë”. Versioni i Cohenit nuk u fut në listat e Billboard-it, deri në vdekjen e tij në vitin 2016, në moshën 82-vjeçare.
Sa i përket arsyes se pse “Hallelujah” arriti në këto lartësi, kjo është për shkak të llojllojshmërisë unike të versioneve, ngjarjeve kulturore dhe një cilësie të pakapshme që kënga pa dyshim posedon. Kërkojeni këngën sot në Spotify dhe është versioni nga Jeff Buckley, jo origjinali nga Coheni, ai që është në maje të kërkimit; çiftimi i temës mbërthyese të këngës në incizimin e papërpunuar nga Buckley më 1994, së bashku me vdekjen e kantautorit që u mbyt në ujë në moshën 30-vjeçare, shtojnë një shtresë tjetër në peshën e kësaj kënge. Versioni i tij u fut në regjistrin kombëtar të Bibliotekës së Kongresit më 2013. Pastaj është qasja e njohur nga John Cale, artisti i parë që e përpunoi këngën më 1991.
Por, çuditërisht, kudondodhja moderne e këngës mund të gjurmohet edhe në vendosjen e saj më të spikatur në “Shrek”, në filmin e dytë më fitimprurës të vitit 2001, që në mënyrë efektive e futi këngën “Hallelujah” në nivelet e larta të kulturës popullore (filmi përmban versionin nga Cale, ndërsa kolona zanore përfshin versionin nga Rufus Wainwright). Ndoshta ishte gjë e duhur që një komedi e animuar të nxis legjendën për Cohenin, duke pasur parasysh që, sipas Gellerit, keqkuptimi më i madh për vetë Cohenin është se ai fillimisht konsiderohej si këngëtar i errësirës dhe i fatkeqësive. “Në vend të kësaj, e hasëm një burrë që ishte me humor”, shpjegoi Geller. “Pothuajse gjithçka që ai tha doli me vezullim nga sytë e tij”.
Viteve të fundit, “Hallelujah” ka pasur dhjetëra paraqitje në televizione dhe në filma (nga “Scrubs” te “Zack Snyder’s Justice League”) dhe është kënduar nga të gjithë – nga Bob Dylan te Bono, nga Brandi Carlile te Il Divo. Komediania Kate McKinnon e këndoi në karakterin e Hillary Clintonit për të hapur episodin e parë të “Saturday Night Live” pas zgjedhjes së Donald Trumpit më 2016. Ndërkohë, Yolanda Adams e performoi në mënyrën e saj vitin e kaluar, në Ditën Kombëtare të Përkujtimit të Covidit, në Memorialin Linkoln. E, të mos përmendim këtu bollëkun e konkurrentëve në garat e këngëve, që nga “The X Factor” e deri te “American Idol”, të cilët kënduan për rënien e molëve dhe të durëve, për mirë ose për keq.
“Është Test i Rorshahut”, thotë Light për interpretimet e ndryshme të teksteve të tij, përfshirë idenë se është menduar të jetë këngë e krishterë. Në realitet, siç tregon edhe filmi, Coheni ishte hebre. “Fjala ‘Hallelujah’ shfaqet nëpër fe dhe besime. Edhe pse qartësisht judaizmi i Leonardit informon aq shumë për atë që ai vendosi në këngë, janë njerëzit ata që marrin atë që nevojitet prej saj dhe atë që ata duan të jetë. Mendoj se kjo është arsyeja se pse luhet kudo, që nga dasmat e deri te funeralet dhe lindjet”. Geller shton për krijimtarinë muzikore të Cohenit: “I ka shumë të bukura këto tekste dhe aranzhime muzikore, që janë përtej kohës, që mund të mbijetojnë dhe të jenë të rëndësishme për audiencën e të gjitha moshave”.
Për filmbërësit, ishin pamjet e Cohenit duke kënduar këngën “Hallelujah” në skenë, gjatë një shfaqjeje në Oukland, në Kaliforni, që pjesërisht i frymëzoi të sajonin dokumentarin. “Thjesht nuk mund të ndaloja së menduari për këtë”, thotë Goldfine. “Është më shumë se një këngë. Është dokumentar për qendrën e dikujt, për rolin dhe vendin e dikujt në jetë”. /Telegrafi/ KultPlus.com