24 Korrik, 2023 - 5:59 pm
Flonja Haxhaj
Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë u bë mbrëmë dritarja e magjisë së muzikës operistike ku tenori i njohur Ramë Lahaj dhe miqtë e tij pushtuan skenën dhe u bënë bashkë për koncertin e jashtëzakonshëm ‘Rame Lahaj & Friends’ që shënoi edhe hapjen e festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, shkruan KultPlus.
Ora po shënonte 20:30 e me këtë u sinjalizua edhe nisja e një koncerti të shkëlqyrer, fillimi i të cilit u karakterizua me një numër të madh të publikut dhe një rresht të njerëzve që prisnin me padurim për të hyrë në hapësirat ku do të mbahej koncerti.
Në një skenë madhështore dhe para një publiku që kishte mbushur plot çdo cep të këtij sheshi, tenori Ramë Lahaj, dirigjenti Pier Giorgo Morandi, baritoni Massimo Cavalletti, soprano Yulia Suleimanova, tenori Alessandro Safina dhe orkestra e Filharmonisë së Kosovës, me finesë, elegancë dhe potencial të rrallë, u përgatitën që të dhurojnë një spektakël nën tingujt e jashtëzkonshëm të muzikës operistike botërore.
Pasi Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u pozicionuan në vendet e tyre, mes duartrokitjesh në skenë u ngjit dirigjenti Morandi, për t’i dhuruar publikut një udhëtim magjik nën tingujt e perludit ‘Carmen’ të Georges Bizet. Ky interpretim u soll ndjeshëm përpara publikut teksa edhe hapi mbrëmjen e cila më pas u përcoll me një program të larmishëm.
Pas kësaj performance, përpara publikut doli vetë nikoqiri i këtij festivali, Ramë Lahaj, i cili fillimisht përshëndeti të pranishmit që ia shtuan edhe më shumë veçantinë kësaj mbrëmje.
“Mirëmbrëma Prishtinë, mirëmbrëma miq e dashamirë. Në krahë sonte kam maestron Pier Giorgo Morandi, një dirigjent të cilin e kam takuar në fillimet e mia të karrierës, atëherë kur të gjithë dyshonin se po mungon diçka në talentin tim, Morandi ka qenë një shtysë dhe suportues shumë i madh”, theksoi Lahaj i cili në vijim falënderoi të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e këtij koncerti.
E në viijm, emocionet e transmetuara u shtuan teksa Lahaj performoi operën ‘No puede ser’ të Sorozabal’, përcjellë nga ‘Berberi i Seviljes’ së Rossinit, sjellë nën interpretimin e baritonit italian Massimo Cavalleti.
Më pas, në skenë u ngjit sopranoja ukrainase Yulia Suleimanova, e cila përcolli elegancë të rrallë me interpretimin e veprës ‘Il Bacio’ të Luigi Arditi.
Magjia e kësaj mbrëmje vijoi me interpretimin e operave ‘Tosca’ të Puccinit, sjellë nga Rame Lahaj, ‘Piesta, rispetto, amore’ të verdit, interpretuar nga baritoni Cavalleti. ‘Je veux vivre’ e Gounod jehoi nën tingujt e zërit të sopranos Suleimanova, pasuar nga opera ‘Intermezo’, që vuri sërisht theksin në mjeshtërinë e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës dhe bashkëpunimit në përfeksion me dirigjentin Morandi.
Përpara audiencës, që deri në atë moment kishte shijuar madhështinë e operave italiane e spanjolle, Ramë Lahaj nuk la pa sjellë edhe frymë shqiptare. Me interpretimin e kolazhit ‘Kroi i fshatit tonë’, ‘Po ti ça i ke than dikuje’ dhe ‘M’ka shku menia me u fejue’, vepra këto që zgjuan edhe më shumë emocionet e publikut e kjo edhe u kurorëzua me duartrokitje disa minutëshe, nga një publik që e shijoi çdo sekond e çdo tingull të këtij koncerti.
Por, magjia nuk përfundoi me kaq. Menjëherë pas interpretimit të Ramë Lahajt, në skenë u ngjit tenori i njohur italian Alessandro Safina, i njohur sidomos për këngën e tij ‘Luna’, i cili përcolli një atmosferë melankolike në minutat e performancës së tij.
Heshtja pushtoi publikun, teksa zëri i veçantë i Safinës, përcjellë nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, shfaqën në Prishtinë esencën e filmit ikonë të kinematografisë italiane ‘Godfather’ gjersa u interpretua kolona zanore e këtij filmi ‘Parla più piano’. Safina më pas çoi publikun në një udhëtim romantik e të papërsëritshëm me interpretimin e këngës ‘Besame mucho’.
“Tani është radha për këngën që ma ndryshoi komplet jetën time”, u shpreh Safina duke paralajmëruar se i erdhi radha këngës së tij ‘Luna’ këngës kolonë zanore të serialit ‘O clone’, një performancë kjo rrëqethëse dhe që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut.
E krejt në fund, kjo mbrëmje nuk do të kishte kuptim po të mos dilnin të gjithë artistët në skenë, e kjo edhe ndodhi. Ishte pjesa Brindisi e ‘La Traviata’ që bëri bashkë në skenë të gjithë artistët, të cilët përmbyllën nën magjinë e operës së Verdit këtë natë të mrekullueshme.
Pas koncertit, përpara publikut të Prishtinës, doli edhe i pari i këtij qyteti, Përparim Rama, ku përveç që falënderoi Lahajn për këtë kontribut që i bën qytetit, dha edhe detaje për sallën e re koncertale.
“Ramë Lahaj na bën krenarë ndërkombëtarisht, Ramë Lahaj na bën krenarë edhe këtu në Prishtinë. Ndihem krenar që të kam mik, je gjithmonë një mik jo vetëm i kryeqytetit por i gjithë Kosovës. Unë i kam premtuar jo vetëm Ramë Lahajt, por gjithë kryeqytetit këtu që salla koncertale po bëhet. Jam me 29 gusht në Tokio dhe do ta prezantoj atje sallën koncertale dhe muzeun e qytetit”, u shpreh kryetari Rama.
Pas koncertit, për KultPlus foli tenori Alessandro Safina, i cili e shpjegon si një ndjenjë të mrekullueshme këtë performancë në Prishtinë, duke përmendur publikun, duartrokitjet, fytyrat e tyre të lumtura.
“Të gjitha herët që këndoj në një vend që skam kënduar më heret, mendoj vërtet që duhet të krijosh gjithmonë një emocion shumë të madh. Një publik shumë i bukur. Është hera e parë që unë vij në këtë festival. Me Ramë Lahaj njihemi që moti dhe kemi një raport shumë të veçnatë dhe shpresoj që pas këtij bashkëpunimi do të kemi një raport edhe më të mirë”, tha Safina duke shtuar më tutje se shpreson që kjo nuk do të jetë hera e tij e fundit në Kosovë.
Ndërkaq, baritoni Massimo Cavalleti, vlerësoi lart koncertin e mbrëmshëm dhe theksoi veçanërisht ngrohtësinë që ia dhuroi publiku i Prishtinës, përpara të cilit performoi për herë të parë.
“Ka qenë absolutisht një koncert i një niveli shumë të lartë, orkestra më pëlqeu shumë dhe është përgatitur shumë mirë nga mjeshtri Morandi. Ndjeva një publik shumë të pranishëm, që duan të shijojnë muzikën dhe që duan të shijojnë emocionin. Më pëlqente sepse të gjithë regjistronin bënin video. Të gjithë më janë dukur shumë të interesuar dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha Cavalleti për KultPlus.
E mjeshtri i zërit, Francisco Araiza, tha për KultPlus se ndjehet shumë i lumtur që u bë pjesë e këtij festivali dhe u shpreh i lumtur për prezencën e tij në koncertin ‘Rame Lahaj & Friends’.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Që kur e njoha Ramë Lahajn, mund të ndjeja dëshirën dhe entuziazmin e tij për të bërë diçka për popullin e tij dhe kjo është diçka shumë speciale, të jesh në gjendje për t’i vënë në lëvizje dhe t’i përfshish kaq shumë njerëz të rëndësishëm që janë në gjendje të realizojnë një ëndërr të re për ndërtimin e një shtëpie të re të operës. Njerëzit që njoha këto ditë janë shumë unikë, të fortë , njerëz pozitivë dhe njerëz që duan të bashkëpunojnë”, deklaroi Araiza, i cili pas disa ditëve do të prezantojë rezultatet nga masterclassi i tij me muzikantët e rinj.
Ndërkaq, përveç këtij koncerti spektakolar, publiku do të ketë mundësinë të shijojë magjinë e veprave operistike edhe për pesë net të tjera në kuadër të festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, i cili këtë vit vjen me moton ‘Opera për Liri’, dhe do të zgjasë deri më datë 31 korrik./ KultPlus.com