Gaqo Çako, tenori i niveleve botërore

29 Qershor, 2022 - 8:30 pm

“I paharruar tenori i niveleve botërore, një nga zërat më të bukur operistikë e të muzikës së lehtë, Gaqo Çako!” Me këto fjalë vlerësimi për Artistin e Popullit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka zgjedhur ta nisë edhe këtë ditë të muajit dedikuar muzikës.

Tenori Gaqo Çako, Artist i Popullit, radhitet ndër emrat e mëdhenj të panteonit të muzikës shqiptare. Studimet i kreu në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, dhe qëndroi tenori kryesor për tri dekada me radhë.

Përvoja dhe karriera e tij ka qenë shumë e pasur. Mjafton të kujtojmë se ka qenë tenor në opera me peshë si “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe ne operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit.

Gaqo Çako u vlerësua edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij i fuqishëm jepte kënaqësi edhe për publikun e thjeshtë, kudo dëgjohej, pasi Çako u përfshi në të gjithë zhanret e muzikës vokale edhe pse vlerën më të madhe e pati në interpretimet e roleve operistike.

Në kujtesën e publikut të gjerë, Gaqo Çako do të kujtohet me këngët “Udhët e atdheut më thërrasin”, “Këputa një gjethe dafinë”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, e sidomos interpretimi aq mbresëlënës i “Fjalëve të qiririt”, në filmin “Mësonjëtorja”. / KultPlus.com

Të ngjajshme