24 Qershor, 2023 - 11:10 am
Festivali Folklorik Kombëtar 2023, nis sot në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video me pamje nga skena e këtij festivali, ku do të ngjiten 1200 artistë.
“Gati skena e qëndisur për të pritur 1200 artistët e Festivalit Folklorik Kombëtar që nis sot në Gjirokastër”, u shpreh Rama, teksa theksoi se hyrja është e lirë në të gjitha ditët e festivalit.
Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.
Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet.
Risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.
Të rinjtë do të emocionojnë me performancat e tyre në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike./KultPlus.com