22 Dhjetor, 2024 - 7:17 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmjen e së premtes, në sallën kryesore të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, u mbajt koncerti i sopranos së mirënjohur, Besa Llugiqi dhe pianistit, Misbah Kaçamaku. Me titullin “Side-by-Side, Schumann and Strauss”, ky koncert solli në skenë dy nga kompozitorët më të njohur të muzikës klasike, Robert Schumann dhe Richard Strauss, duke ofruar një udhëtim muzikor të pasur për publikun e pranishëm, shkruan KultPlus.
Koncerti filloi me një interpretim të veçantë të ciklit vokal “Frauenliebe und Leben” (Dashuria dhe Jeta e Gruas) nga Robert Schumann, një nga veprat më të njohura dhe më të dashura të këtij kompozitori. Besa Llugiqi, me zërin dhe elegancën që e karakterizon, solli një interpretim të thellë dhe emocional të çdo kënge. Secili nga ciklet, i mbushur me intensitetin dhe ndjenjën e dashurisë dhe brishtësisë femërore, u shoqërua nga performanca e sofistikuar e pianistit Misbah Kaçamaku.
Pas kësaj pjese, pianisti Misbah Kaçamaku i shpërndau tingujt e magjishëm të “Fantasie” nga Mozart, një nga krijimet më të njohura dhe më komplekse të kompozitorit austriak, në një performancë solo. Me mjeshtëri të rrallë, Kaçamaku udhëhoqi publikun në një përvojë të jashtëzakonshme muzikore, duke sjellë në jetë çdo nuancë të veprës së Mozart-it.
Ndërkaq, mbrëmja kulmoi me një interpretim të veprave më të njohura të kompozitorit gjerman Richard Strauss. Besa Llugiqi, e përsosur në çdo detaj, solli një bukuri të jashtëzakonshme në këngët “Morgen” Op. 27 nr. 4, “Ach, Liebe, ich muss nun” Op. 21 nr. 3, “Allerseelen” Op. 10 nr. 8, “Mein Herz ist stumm” Op. 19 nr. 6, “All mein Gedanken” Op. 21 nr. 1 dhe “Zueignung” Op. 10 nr. 1.
Pas një paraqitje të jashtëzakonshme, Besa Llugiqi foli për KultPlus, duke u shprehur e lumtur për këtë koncërt. Ajo më tej foli edhe për veprat që interpretoi, që sipas saj janë të bukur dhe të vështira në interpretim.
“Ky është një program mjaft impenjativ, është i vështirë stilistikisht. Janë dy botë të kundërta, Schumman dhe Strauss, por që e kanë një të përbashkët poezinë e bukur në to dhe muzikën e jashtëzakonshme. Cikli i parë, ‘Frauenliebe und leben’, tregon një ngjarje nëpërmjet tetë këngëve, dashurinë dhe jetën e gruas, që shtjellon se si një grua dashurohet, martohet, lind fëmijë dhe në fund i vdes i dashuri, përfundon tragjikisht, mirëpo ka një përmbajtje të jashtëzakonshme, ka shumë art të. Kurse pjesa e dytë përmban tregime të shkurta, por që secila flet për jetën, vdekjen, natyrën, për humbjen dhe për dashurinë. Në të dyja versionet është sfiduese për këngëtarin por është edhe kënaqësi t’i interpretosh sepse është një muzikë e mrekullueshme dhe e gërshetuar shumë mirë me poezinë që në fakt duhet dhënë ngjyrë fjalës duke e ngjyrosur me muzikë”, thekosi Llugiqi.
Pas koncertit foli edhe pianisti Misbah Kaçamaku i cili dha përshtypjet e tij rreth koncertit dhe përzgjedhjes së veprave.
“E veçanta në këtë repertor është se këto janë ‘lied’ (këngë gjermane). Sa e mbaj unë mend, kjo është mbrëmja e parë pas luftës që janë interpretuar vetëm ‘lied’. Pjesa e parë ka qenë një cikël e Schumman, i ashtuquajtur një serial që flet për jetën e një vajze, ndërkaq Strauss nuk e kemi përzgjedh si cikël, janë përzgjedhë disa pjësë”, u shpreh Kaçamaku për KultPlus.
Më tutje, ai foli edhe për bashkëpunimin me Besën, që sipas tij, pavarësisht angazhimeve të tjera, ata vazhdojnë të kenë konsistencë bashkëpunimi.
“Ne me Besën punojmë bashkë mbi tri vite dhe mund të them që jemi i vetmi duet në vend që ka konsistencë në bashkëpunim pavarësisht koncerteve, pavarësisht bashkëpunimeve, ne sërish punojmë”, shtoi ndër të tjerash pianisti Misbah Kaçamaku.
Në këtë natë, publiku pati mundësi që të ndjejë fuqinë e muzikës, që tejkalon çdo kufi dhe hap një dritare të re në botën e emocioneve dhe krijimtarisë artistike. Besa Llugiqi dhe Misbah Kaçamaku i dhanë publikut të pranishëm, një mundësi të rrallë për të shijuar muzikën e pastër dhe të ndjerë të Schumann dhe Strauss./KultPlus.com