23 Qershor, 2023 - 10:40 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë, në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, u hap festivali i Artit Bashkëkohor ‘Shadoës’, festivali i cili ka për qëllim të sjellë inovacion kulturoro-artistik në skenën Kosovare dhe eksperiencë gjithëpërfshirëse të rrethuar nga ekspozita e pikturave në vaj, instalacioni i artit audio-vizual dhe seri të koncerteve instrumentale.
Në një mbrëmje që kishte bërë bashkë shumë artdashës, publiku pati mundësi të mahnitet fillimisht nga performanca në piano e pianistes së mirënjohur kosovare, Adea Badivuku, e cila njëkohësisht është edhe drejtoreshë organizative e këtij festivali, e më pas të shijojë edhe ndërthurjen e artit dhe muzikës vizuale të ndërthurur me pikturat, instalacion ky nga vëllezërit Gunes dhe Deniz Caglarcan, shkruan KultPlus.
Hapjen e këtij festivali i cili do të sjellë performanca të shumta nga artistë të mirënjohur vendorë e ndërkombëtarw, e bëri vetë Badivuku, e cila u shpreh e lumtur që ky festival vjen pikërisht në ditët kur shënohet edhe Dita e Muzikës.
“Dje ishte dita botërore e muzikës dhe ne jemi mbledhur sot të festojmë me shumë dashuri dhe passion këtë ditë kaq me vlerë për të gjithë ne. Unë ju mirëpres në hapjen e festivalit tonë, festivali i artit bashkëkohor ‘audio – visual shadows’”, tha Badivuku, duke vazduar më pas me performancën e saj në piano, performancë kjo që magjepsi publikun për gati një orë.
Në këtë performancë, asaj më pas iu shtua edhe violinistja Meriem Badivuku, interpretim ky që u mirëprit shumë nga audienca.
Pas koncertit në Kosovë, ku ajo kthehet pas katër vitesh studime në Amerikë, për KultPlus me emocionesh foli pianistja Badivuku, e cila e cilëson si një moment të papërshkrueshëm, rikthimin e saj para audiencës kosovare.
“Jam shumë e lumtur me e nda këtë eksperiencë me familje, kolegë dhe shoqeri. Ndërkaq, sa i përket festivalit, ndihem shumë e lumtur që projekti qe e kam organizuar është i pari i këtij lloji në Kosovë i cili gërsheton disa diciplina arti në nje vend dhe është një kompozim i tërësishem sa i përket konceptit dhe formës narrative,” shprehet Badivuku, duke shtuar mes tjerash që komentet dhe përshtypjet e audiencës i kanë tejkaluar edhe pritshmëritë e saj.
E në këtë mbrëmje, u prezantua edhe instalacioni i vëllezërve Caglarcan, të cilët bënë bashkë artin e tyre dhe sollën një bashkëveprim të shprehjeve të ndryshme të ndjenjave të ndryshme në një instalacion të vetëm.
Piktori Gunes Caglarcan, tha për KultPlus se ndjehet i lumtur për prezencën e tij këtu, e për këtë merita i takon pianistes Badivuku. Ai më pas foli për pikturat e tij, e që të gjitha kanë një të përbashkët, ‘hijet’.
“Koleksioni ‘Shadoë’, është një koleksion i pikturave të mia që unë i kam realizuar tri vite më parë. Në fillim të pandemisë , kur të gjithë po bënin një jetë individuale, larg nga jeta shoqërore, ishte koha kur ne rrinim shumë në rrjete sociale, por nuk e shihnim njëri – tjetrin. Ishte një kohë kur ne po e jetonim jetën tonë dhe po bënim sikur po kënaqemi shumë, porn ë fakt nuk ishte ashtu. Arsyeja pse unë fillova të bëj këtë koleksion, filloi atëherë kur ne humbëm gjyshen tonë në fillim të pandemisë. Unë i thashë vetes sime se pavarësisht që ne dukemi sikur kemi një jetë shumëngjyrëshe, ne jemi të pikëlluar në të njëjtën kohë dhe ndjenja të ndryshme brenda vetes sonë”, shpjegon Caglarcan konceptin e veprave të tij dhe atë që ai gjithmonë dëshiron të shpreh nëpërmjet pikturave të tij.
Kurse muzikanti Deniz Caglarcan shpjegoi mënyrën se si piktura dhe muzika krijuan një lidhje aq të fortë dhe u prezantuan në këtë instalacion që u shfaq mbrëmë para publikut.
“Unë mora idenë e Gunesin në mënyrën se si ai i shpreh ndjenjat e ndryshme dhe i përdora në muzikën vizuale. Në këtë instalacion kam shprehur pamje të ndryshme që ne i shohim për çdo ditë”, theksoi mes tjerash Caglarcan.
Ndëkaq, festivali ‘Shadows’, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mbahet në galerinë e Fakultetit të Arteve nga 22 deri më 28 qershor./ KultPlus.com