Gezim Gashi me ligjëratë në “Harvard”, prezanton Erza Muqollin, e krahasojnë me Celine Dion

10 Mars, 2020 - 3:16 pm

Jeta Zymberi

Një emër i suksesshëm në industrinë e muzikës në Los Angeles dhe duke qenë shqiptari i parë që është një ndër themeluesit e shkollës së artit në Amerikë, Gezim Gashi rrugëtimin e tij nga një refugjatë në një djalë të suksesshëm e ka shpalosur para studentëve nga e gjithë bota në Universitetin prestigjioz “Harvard”, shkruan KultPlus.

Të larguar nga Kosova gjatë kohës së luftës, ai bashkë me familje u shpërngulën në Alvesta të Suedisë dhe tash historinë e tij e ka ndarë në universitetin më prestigjioz në botë, në “Harvard”.

Gashi e ka vlerësuar këtë si një përvojë të veçantë duke pasur parasysh se si është rritur dhe sa shumë është ushqyer me ëndrra që sot po i bëhen realitet.

“Ligjërata ime para studentëve nga e gjithë bota në Universitetin prestigjioz “Harvard” është një ëndërr e bërë realitet. Para studentëve kam folur për rrugëtimin tim, nga refugjatë nga Kosova në Suedi e deri te vlerësimi i George W Bush (që edhe ai ishte student aty ku po ligjëroja). Gjithashtu kam folur për shkollën e muzikës që e kam hapur në Amerikë, si dhe rreth mbështetjes që po e marr nga industria e muzikës në US”, ka treguar në pika të shkurtra Gashi rreth asaj se çfarë ka shpalosur para të pranishmëve.

Por përveç ligjëratës, Gashi ka vendosur që përpara studentëve nga e gjithë bota të prezantoj edhe yllin shqiptar Erza Muqollin e cila po mahnit të gjithë me zërin e saj magjikë.

Erza Muqolli gjatë kësaj ligjërate është lidhur me Skype, ku përmes ekranit ajo ka folur në gjuhën shqipe për suksesin dhe ëndrrat e saj.

“Erza ka folur për ëndrrat e saj, ndërsa unë duke e vlerësuar vokalin që ajo ka, e kam krahasuar atë me Celine Dion dhe Mariah Carey dhe studentët ishin të të njëjtit mendim. Të gjithë po mahniten me zërin e saj”.

Ky prezantim i dy shqiptarëve në “Harvard” është një tjetër sukses që flet shumë për punën dhe arritjet e tyre. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B9jhN84hmzf/

Të ngjajshme