Giacomo Durazzo, durrsaku që i dha botës kompozitorin e “Katër Stinëve”

15 Nëntor, 2017 - 6:40 pm

Giacomo Durazzo lindi në 27 prill 1717, në Gjenova, dhe ishte biri i Gio Luca II Durazzo. Ai ishte gjithashtu dhe vëllai i vogël i atij që do të ishte një nga dozhët më të famshëm: Marcello Durazzo apo Marcellino, siç e thërrisnin ndryshe dhe kur në epokën e tij Gjenova cilësohej në disa shkresat zyrtare evropiane “Republika Durazzina“. Në rininë e tij ai studioi në Romë e pastaj në Paris.

Giacomo do të zbarkonte në Vjenë në vitin 1749 si i “Dërguar i jashtëzakonshëm“ (“Inviato straordinario“) i Republikës së Gjenovës. Ai sapo kishte kryer misionin e parë diplomatik si përfaqësues i Republikës së Gjenovës në oborrin mbretëror të Torinos. Hyrja e tij në aristokracinë e lartë vjeneze u bë e lehtë në sajë të mikut të tij, kancelarit von Kaunitz.

Në fakt, kur do të vinte në Vjenë si ambasador i Republikës së Gjenovës, detyra e tij nuk ishte e lehtë, pasi pak vite kishte që lufta midis gjenovezëve dhe austriakëve kishte marrë fund. Dhe ne këtë luftë, Durazzo-t ishin nga personalitetet drejtuese.

Në ekspozitën e hapur në Gjenova, në vitin 2004, “Nga Tintoretto te Rubens“, pata rastin të shikoja një tablo të famshme të koleksionit të dozhëve Durazzo, të sjellë aty nga “Metropolitan Museum of Art“.

Në një mjedis pylli, ulur në poltrone, duken ambasadori Giacomo Durazzo dhe gruaja e tij, Ernestina Alosya Ungnad von Weissenwolf. Është një tablo e madhe në dimensionet 228,9×190,5 cm, me ngjyra të gëzuara, ku pozojnë dy figurat aristokratike : Giacomo, pinjoll i një familje dozhësh, që mban mbi gjunjë një qen të vogël dhe Ernestina, me një fytyrë ovale, ngjyrë rozë dhe një lëkurë të lëmuar. Në atë kohë, Ernestina mbahej “gruaja më e bukur e Vjenës“ (“la donna la piu bella di Vienna“).

Giacomo Durazzo me të shoqen Ernestinën

Martesa e tyre ishte bërë në fakt nga vetë kancelari von Kaunitz-Rittberg, i cili ishte mik i vjetër i Giacomo-s dhe mbrojtës i Durazzo-ve në Vjenë.

Në vitin 1752 ai e la karrierën diplomatike për t’iu kushtuar artit të skenës. Perandoresha Maria-Teresa, gruaja e perandorit, Joseph II, e angazhoi atë si zëvendës-drejtor i Teatrit Perandorak të Vjenës dhe një vit më vonë si drejtor i saj, “Generalspaktakeldirehtor“, ku do të qëndronte për dhjetë vjet rresht.

Të drejtoje jetën teatrale muzikore të Vjenës në atë kohë ishte një detyrë e jashtëzakonshme. Si një erudit dhe njeri me talent, shumë shpejt ai e bëri për vete jo vetëm oborrin perandorak por edhe rrethin e artistëve të kohës. Pasioni i tij ishin libretet, gjini që do ta lëvrojë duke u angazhuar konkretisht me kompozitorë të mëdhenj si Gluck (Glyk), etj.

Pas vdekjes së tij në koleksionin mjaft të çmuar të papirave muzikore u gjendën edhe krijime muzikore të paekzekutuara në opera, të Antonio Vivaldit.

Ka shumë historian që besojnë se pot ë mos kishte qenë Giacomo Durazzo, emri i kompozitorit të “Katër Stinëve” do të ishte akoma i zhytur në errësirë.

Duket se arti do ta tërhiqte shumë më tepër se diplomacia. Vjena në atë kohë ishte një nga qendrat më artistike të Evropës, dhe kjo ndoshta në sajë dhe të perandorit e perandoreshës, që të dy melomanë dhe njerëz që i u përkushtuan artit.

Pas dhjetë vjetëve që drejtoi jetën muzikore e teatrale të Vjenës, një nga metropolet më të fuqishme kulturore të asaj kohe në Europë, Perandoria e Absburgëve e caktoi atë ambasador në Venecie. Kështu, Giacomo Durazzo do t’i rikthehej përsëri jetës diplomatike dhe për vite me radhë ai do të ishte në qendër të diplomacisë por dhe të jetës kulturore e artistike.

Ai u vendos në Pallatin e Leonardo Loredan në “Canal Grande” i cili më vonë do të quhej “Villa del’ambasciatore”. Pikërisht në vilën e Durazzo-s do të jepte koncert dhe kompozitori i ri që po shquhej në atë kohë, gjeniu Amadeus Mozart…(Marrë nga Konica.al)./ KultPlus.com

Të ngjajshme