11 Shtator, 2017 - 10:59 am
‘Diku, dikur…’ është albumi i tretë i Gillespie i cili përbëhet nga gjithsej 8 këngë, ku do të promovohen këtë të shtunë në Fushën e Basketbollit në lagjen Ulpiana, shkruan KultPlus.
Njoftimin për albumin e ri, Gillespie e kanë bërë nëpërmjet rrjetit social përmes së cilit kanë ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen një performance të gjallë.
“Të dashtun. Jemi afër publikimit të albumit tonë më të fundit. Më 16 shtator, kemi me performu në beton – inspirimin tonë më të madh, edhe afër komunitetit. Po ju ftojmë krejtve me na u bashku në nji performancë të gjallë, në Fushën e Basketit, Rr. Anton Pashku në lagjën Ulpiana, ku kemi me i performu kangt e albumit të ri, por edhe të dy albumeve të kalume”, kan njoftuar Gillespie.
Ky album është incizuar në Stucio C. Muzika, aranzhmani dhe tekstet janë të gjitha prodhim i Gillespie ndërsa producent i albumit është Dritëro Nikqi. Masterimi i albumit është bërë nga Michael Haves.
“Albumi, në formën që po del, vjen si produkt i ni bashkëpunimi me nji numër artistash edhe njerëz të vullnetit të mirë të qytetit tonë të lezeqëm. Muhamed Flugaj edhe Engjëll Sokoli, janë dy prej tyne, që nuk kan pritu me na ndëgju edhe me punu në kopërtinë, libërth edhe fotografi të albumit”, thuhet tutje në njoftim.
Pra më 16 shtator me fillim nga ora 19:00, Gillespie do të sjellin albumin ‘Diku, dikur…’ në lagjen Ulpiana në Prishtinë./ KultPlus.com