4 Maj, 2018 - 11:40 am
Ajo nuk kishte folur për origjinën e saj shqiptare, sepse e ndiente me erë diskriminimin. E bëri për shumë vite pasi jetoi në Greqi, por vendosi të dorëzohej një ditë dhe të pranonte se ishte shqiptare. Në fund të fundit, Eleni Foureira ka shumë arsye për t’u ndier krenare me veten dhe nuk ka pse të fshihet apo të shtiret si njeri tjetër.
Pasi spikati si këngëtare mjaft e talentuar, Foureira u kthye shumë shpejt në vokalin potent dhe u komentua gjatë si një artiste e kompletuar. Derisa i erdhi radha edhe Eurosongut, në të cilin këngëtarja me origjinë shqiptare do të konkurrojë për të përfaqësuar Qipron, pas pak ditësh në Lizbonë.
Ndërkaq, zhurma për artisten me origjinë shqiptare nuk ka përfunduar. Tani që ajo ka nisur provat së bashku me të gjithë artistët e tjerë pjesëmarrës, është ndalur në mënyrë të veçantë me disa prej tyre. Por takimi me Gent Bushpepën nuk mund të kalonte në heshtje. Dhe sidomos pasi bëri shqiponjën me duar në shenjë simbolike për të gjithë shqiptarët.
Që nuk është aspak shenjë e mirë për grekët. Simboli i shqiponjës dykrenare i ka irrituar mediat greke, aq sa një pjesë e mirë e tyre e konsiderojnë këtë gjest provokues dhe tallës ndaj kombit të tyre. Pas kësaj fotoje që Eleni Foureira postoi së bashku me përfaqësuesin shqiptar në Eurosong, jehona u përhap menjëherë në rrjet dhe reagimet qenë nga më të ndryshmet.
Përfaqësuesja e Qipros në Eurovision dhe veprimi i saj me shqiponjën ka ngjallur reagime të ashpra edhe në ekrane. I tillë është rasti i televizionit Star, i cili shkruan në faqen zyrtare se Eleni Foureira dhe këngëtari shqiptar Eugent Bushpepa bënë simbolin e “Shqipërisë së Madhe”, duke e lidhur gjestin me nacioanlistët dhe UÇK-në.