23 Shtator, 2019 - 5:00 pm
Ishte një nga pjesët që e kompozoi pak kohë para se të vdiste. Në vitin 1943, Béla Bartók që po i dorëzohej ngadalë sëmundjes po i jepte frymë “Koncertit për orkestër”.
76 vjet më vonë një orkestër hungareze po e jepte premierë jo në Hungarinë e tij dhe as në ndonjë sallë hijerëndë në Evropë. Kjo po bëhej në Prishtinë.
E mbushur plot, Salla e Kuqe të premten pati nderin që të bëhej skena e parë për muzikantët hungarezë që dhanë premierë “Koncertin për orkestër” të Béla Bartókut, emri i të cilit lartohet në panteonin e kompozitorëve më të rëndësishëm të shekullit të kaluar.
Me traditën dyshekullore, Filarmonia e Panonnit për afro dy orë i ka dhuruar publikut prishtinas shkëputje të përzgjedhura të Bartókut, Ferenc Lisztit dhe Zoltán Kodályit, tre gjigantëve që e lartësuan muzikën popullore hungareze në vlerë botërore.
Me mbi 60 anëtarë, orkestra që mburret për akustikën më të mirë në Hungari, ka hapur “Javët hungareze të kulturës”, që përgjatë tre muajve të ardhshëm do të sjellë në Kosovë ekspozita, filma e muzikë hungareze.
Para fillimit të koncertit, ambasadori Márkusz e ka quajtur performancën si shenjë në historinë e Kosovës, transmeton KultPlus.
“Orkestra ‘Pannon’ është më e madhja që ka luajtur ndonjëherë në tokën e Kosovës”, ka thënë ai.
Pas koncertit të Filarmonisë së Pannonit, Filarmonia e Kosovës do të mbajë koncert në Qendrën Kodaly në Pécs më 22 prill të vitit 2020, qendër kjo e cila shërben si shtëpi e Filarmonisë së Pannonit që nga viti 2010, kur edhe u ndërtua.
“Filarmonia e Kosovës vitin tjetër shënon 20-vjetorin e themelimit të saj dhe 45-vjetorin e ekzistencës së muzikës simfonike institucionale në Kosovë, e cila fillon me themelimin e Orkestrës Simfonike të RTP-së./kosova.info/KultPlus.com