2 Gusht, 2022 - 6:30 pm
Gjon Muharremaj, i njohur ndryshe me emrin artistik ‘Gjon’s Tears’, ishte përfaqësuesi i Zvicrës në “Eurovision 2021”, duke arritur të dilte i pari falë votave të jurive profesioniste, ndërsa në rezultatin përfundimtar, ku përfshihet edhe votimi i publikut u pozicionua i treti, shkruan KultPlus.
Ndërkaq, së fundmi, këngëtari i talentuar do të mbajë një koncert në “Sheshin e Qytetit” në Suharekë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Therandës (Suharekës), Bali Muharremaj.
Nëpërmjet një videoje, kryetari Muharremaj ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen gjithsej dy koncerteve që i dedikohen diasporës dhe jo vetëm (2 dhe 3 gusht). E në koncertin e dytë që do mbahet më 3 gusht, i ftuar është këngëtari Muharremaj.
Këngëtari Muharremaj është shprehur tejet i lumtur që është rikthyer përsëri në Suharekë, e që sipas tij, sa herë që vjen këtu, vendi po e tërheq akoma edhe më shumë
“Do të kënaqemi shumë tek sheshi në Suharekë. Më vjen shumë qejf dhe kënaqësi të madhe që po më bie të këndoj përsëri në Suharekë, që është vendi që më pëlqen dhe sa herë që po shkoj, akoma më shumë po më pëlqen”, ka thënë ai.
Gjon’s Tears do të performojë në Suharekë më 3 gusht. / KultPlus.com