Grupi i Elbasanit, pjesëmarrës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës

1 Korrik, 2023 - 10:31 am

Grupi folklorik i Elbasanit u ngjit mbrëmjen e djeshme në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Pjesëmarrës në natën e gjashtë të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës ishin grupmosha të ndryshme, ndërsa në skenë u sollën vlerat e folklorit të Shqipërisë së Mesme me këngë e valle.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ndau në rrjetet sociale momente nga kjo ngjarje që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës po ndiqet nga një numër i madh spektatorësh, ndërsa rrugët e qytetit të gurtë gjallojnë nga zhurmat e vizitorëve, por edhe të turistëve të huaj.

Festivali Folklorik Kombëtar ka nisur më 24 qershor dhe vijon deri në datën 2 korrik. Përgjatë 8 netëve, kalaja e Gjirokastrës shndërrohet në një skenë të hapur për të gjithë dhe akesohet falas.

Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon folklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme