23 Maj, 2019 - 2:08 pm
Nesër fillon edicioni i 18-të i festivalit ‘ReMusica’ në Amfiteatrin e Bibliotekës së re Universitare me performancën e ansamblit Trio Guitar Elogio.
Në ketë edicion do të ketë një mori koncertesh me solist shumë të suksesshëm nga vendi dhe bota. Në mesin e të cilëve do të jetë virtuozi dhe tubisti Toma Leleu, i cili njihet për shkathtësitë e tij të jashtëzakonshme në instrumentin e tubës, i cili ka fituar çmimin kryesor të Francës në “Victoire de la musique” në vitin 2012.
Drejtoresha e këtij festivali Donika Rudi, prononcon se ky vit përveç koncertesh përmban edhe aktivitete të shumta edukuese në fushën e muzikës.
“Përpos koncerteve do ta përcjellim festivalin me aktivitete tjera të cilat janë segmente që iu kanë shtuar ReMusices vitin e kaluar. Janë këto ReMusica edukative e cila i dedikohet rinisë, fëmijëve apo familjarëve kushdo që ka dëshirë ta njoh një instrument, kompozitor apo artist prej së afërmi. Ketë vit në fokus e kemi pianon dhe instrumentin e kontrabasit”, u shpreh Rudi.
ReMusica sjellë në Kosovë performues të njohur nga vende të ndryshme të botës siç është Klemant Parmetie nga Belgjika, Duoja nga Austria, Redi Llupa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i cili do të paraqesë një cikël të sonatave të kompozitorit amerikan George Walker.
Ndërsa nga solistët vendor, përveç bashkëpunimit me korin dhe orkestrën e Filharmonisë së Kosovës do të performojnë Vikena Kamenica dhe Merita Rexha Tershana të cilat do të vijnë me një projekt me veprën e Franc Shubert “Winter Riser” dhe do të paraqesin një frymë dimërore.
Ndërsa producenti i këtij festivali, Viktor Berishaj tha se mesazhi të cilin e përçojnë në këtë edicion është “Dare to Love” (Guxo të dashurosh) dhe ky mesazh reflekton në programin e festivalit që duhet të kemi guxim të ngrisim zërin kundrejt pabarazive.
“Në një kohë që janë duke ndodhur shumë ndryshime të mëdha globale po harrojmë atë çka është brumi themelor apo atë çka na bën ne të veçantë si qenie, e ajo është dashuria. Në ketë moment kemi lëvizje të mëdha, emigrim të madh, kemi pabarazi gjinore dhe në shumë sfera, konflikte etnike etj. Ndërsa po harrojmë atë çka na përbën ne apo çka na jep frymë si qenie njerëzore. Dhe kemi menduar që këtë vit të përçojmë këtë mesazh, që të guxojmë të bëjmë ndryshime dhe të guxojmë të ngrisim zërin kundrejt këtyre pabarazive”, u shpreh Berishaj.
Në koncertin e hapjes do të performoj Petrit Çeku i cili bashkë me ansamblin e tij do të sjellin disa vepra më ndryshe dhe origjinale.
“TRIO ELOGIO është i vetmi ansambël që unë jam anëtar i rregullt dhe i vetmi bend që unë e kam. Ne sot i bëjmë 10 vjet të aktivitetit tonë koncertal, së bashku me Pedro Rodrigues dhe Tomislav Vukshiq. Kemi program shumë interesant për TRION si diçka më e mira në repertorin tonë. Kemi një vepër të Moxartit që na reprezanton në shumë mënyra si kitarist edhe si muzikant dhe dy vepra origjinale një nga Marko Ruzhgjak si dhe nga Rafet Rudi i cili shkroi tri vepra pikërisht për ne”, tha Çeku.
Ndërsa kitaristi nga Portugalia Pedro Rodrigues, shprehet i entuziazmuar që do të performoj për të tretën herë në Kosovë
“Jam vërtetë i gëzuar që do të performoj në Kosovë për herë të tretë me TRIO dhe ky vit është shumë i veçantë për ne sepse ne festojmë 10 vjetorin e ansamblit tonë. Kemi disa koncerte në Evropë dhe është kënaqësi që koncerti i parë të jetë në Kosovë në këtë festival të shkëlqyeshëm. Nuk e di origjinalin e këtyre këngëve folklorike shqiptare, por kam njohuri për disa këngë folklorike dhe me pop muzikë dhe kjo është ekzotike për mua”, prononcoi Rodrigues. /KultPlus.com