18 Shkurt, 2018 - 7:21 pm
Zëri i Haki Misinit konsiderohet si një vulë e muzikës rok në vitet e 70’ta në Kosovë. Sot ky zë na vjen vetëm përmes këngëve që kanë mbetur të arkivuara e që ai i realizoi si pjesë e grupit MAK, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, KultPlus i kujton disa nga figurat e njohura të artit kosovar, rrugëtimi artistik i të cilëve u ndërpre gjatë luftës së fundit në Kosovë, pasi që u vranë nga forcat serbe. Dy anëtarë të grupit MAK, Haki Misini dhe Mehmet Tupella janë vrarë gjatë luftës së fundit 1998-1999, për të lënë një zbrazëti të madhe në artin kosovar.
Ky rok grup, u formua nën ndikimin e rok grupeve të mëdha botërore si Deep Purple, The Beatles, dhe artistit të mirënjohur Jimy Hendrix. Si rezultat i kësaj, lindi fryma e re muzikore “hard rok” edhe në Kosovë.
Djali i Haki Misinit, Urim Misini, në atë kohë 11 vjeçar, përmes një dokumentari të realizuar nga RTK, thotë se figurën e fundit të babait e kujton tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-së në Kosovë. Ai thotë se ende i kujton trokitjet e fuqishme të derës dhe zhurmën në korridorin e banesës. Përmes dritares, imazhi i fundit i tij ishte kombi që para ndërtesës së tij, ia mori babain dhe fqinjët e tjerë.
Dy policë që nuk dukeshin të tillë, pasi që ishin të maskuar dhe me rroba të zeza, kishin pamjen e krimineleve dhe si të tillë vijnë në derën e banesës së Haki Misinit. Kontaktin e parë me ta e pati bashkëshortja e tij, Bukurie Misini të cilës i kërkojnë ta thërras të zotin e shtëpisë. Gjëja e fundit që Haki Misini do të marr nga shtëpia e tij, janë cigaret me të cilat do të largohet për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes.
“Hakiut ia kërkuan letërnjoftimin dhe kartelën e gjelbër të cilat na i patën dhënë gjatë luftës dhe thanë “Dilni jashtë”, Kur unë fillova të flas, me thanë “Zonjë, mbylle derën derisa nuk bëhet vonë”. Hakiu i tha “A mundem vetëm cigaret me i marr?”, unë ia dhashë cigaret dhe ma shtrëngoi dorën, më tha “Hyn brenda”, për shkak të frikës së fëmijëve”, rrëfehet bashkëshortja e tij, Bukurie Misini.
Një makinë që kishte ardhur pranë ndërtesës së tyre, për gjysmë ore arrin të mbushet me katërmbëdhjetë persona. Bukurie Misini, përmes këtij dokumentari e kujton si një njeri të qetë dhe si një njeri i hareshëm, ajo thotë se pas çdo programi kthehej përsëri në shtëpi, e në programe shumë të rëndësishme e ftonte edhe atë. Familja e Haki Misinit, edhe pas pesë viteve edhe pas shumë përpjekjeve nuk e arritën të marrin asnjë informacion për të. Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.
Zëri i Haki Misinit, sot është përjetësuar në këngën “Moj e mira te pojata”, që këndohet e interpretohet edhe nga shumë artistë të tjerë. Zëri i tij i veçantë depërton edhe sot përmes këngëve “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, e këngë të tjera.
Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com