20 Maj, 2021 - 10:39 pm
Në Rotterdam të Holandës po mbahet nata e dytë gjysmëfinale e Eurovision 2021.
Në skenën e madhe të “Ahoy Arena” janë ngjitur plot 17 artistë nga 17 shtete të ndryshme, në mesin e tyre dy këngëtarë shqiptarë.
Bëhet fjalë për Anxhela Peristerin, e cila përfaqëson Shqipërinë me këngën “Karma” dhe Gjon Muharremajn i njohur si Gjon’s Tears, që përfaqëson Zvicrën me këngën “Tout L’Univers”.
Të dy artistët dhuruan nga një performancë të shkëlqyer gjatë interpretimit live, gjersa në përfundim të krejt performancave është hapur votimi i cili zgjat 15 minuta.
Shqipëria mban kodin 11 ndërsa Zvicra kodin 16, dhe mund të votohet nga banorët e secilit prej shteteve pjesëmarrëse në natën e sotme gjysmëfinale.
Vota mund të dërgohen edhe nga shtetet në fuqi të Eurovisionit që futen automatikisht në finale si: Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Spanja, Italia dhe Holanda (si fituese e Eurovisionit të kaluar).
Më poshtë gjeni tabelën me numrat përkatës të secilit shtet, nga ku mund të votoni për Shqipërinë me kodin 11 dhe shqiptarin nga Zvicra me kodin 16.
Në fund rezultati kalkulohet 50/50 nga votat e jurisë profesionale dhe të publikut, gjersa vetëm 10 shtete nga 17 do të fitojnë të drejtën për t’u paraqitur në mbrëmjen finale të së shtunës. / KultPlus.com