23 Maj, 2018 - 3:33 pm
FIFA dhe UEFA do të pushtohen sivjet nga tri vajzat kosovare, shkruan KultPlus.
Era Istrefi, Rita Ora dhe Dua Lipa, janë këngëtaret tashmë me famë botërore të cilat kanë ngjitur majat e suksesit përmes zërave të tyre. Kësisoj, sivjet që të tria do të këndojnë në ndeshje futbollistike të cilat përcillen nga e gjithë bota.
Era Istrefi është zëri që do të kumbojë sivjet në gjithë Kampionatin Botëror që sivjet mbahet në Rusi. Era është ajo që do ta këndojë këngën e Botërorit bashkë me dy emra të mëdhenj siç janë Will Smith dhe Nicky Jam.
Dua Lipa dhe Rita Ora, janë vajzat nga Kosova të cilat janë rritur jashtë vendit nga vijnë e të cilat po mahnitin botën me zërat e tyre.
Dua Lipa do ta bëjë hapjen e ceremonisë finale të Ligës së Kampionëve ndërsa Rita Ora është sponsorizuar nga UEFA për turneun ‘The Girls Tour’ si pjesë e fushatës së tyre “Together #WePlayStrong”.
Tashmë si çdo herë tjetër është bërë edhe fotografia e vajzave kosovare nga faqja Images of Kosovo, me mbishkrimin HAT-TRICK./ KultPlus.com