3 Qershor, 2024 - 12:01 pm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit ndau në rrjet një album fotosh mbresëlënëse nga aktiviteti që çeli Javën Kulturore Italiane.
“Gurët e lashtë të Butrintit u zgjuan nga fuqia e interpretimit të veprës madhështore të Puccini-t. Kjo natë ishte një festë e vërtetë e kulturës së pasur italiane”, shkroi ministri Gonxhja për aktivitetin e zhvilluar në sitin arkeologjik të Butrintit.
Katër personazhe, katër gra, katër histori: drama intensive e Tosca-s, përralla tragjike e Madama Butterfly, historia e ëmbël e Mimì dhe atmosfera mistike e Turandot, erdhën në amfiteatrin antik, në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të kompozitorit legjendar Puccini, e njëkohësisht të gërmimeve të para në Butrint, të kryera nga italiani Ugolini.
Shfaqja “Voci di donne” e Giacomo Puccini-t mallëngjeu nga interpretimi artistik dhe kjo natë do të ngelet gjatë në kujtesën e të pranishmëve.
Ndërkohë Java Kulturore Italiane premton të tjera evente, të shumta në numër e me të njëjtën ngarkesë artistike e emocionale./atsh/KultPlus.com