6 Korrik, 2023 - 10:00 pm
Vjollca Duraku
Foto: Meriton Ferizi
‘Lo Speziale’ (Farmacisti) e Josph Haydn, një operë komike e shkruar në tre akte, iu dhurua publikut në kryeqytet për herë të parë nga studentët e Operës së Kosovës në bashkëpunim me Orkestrën e Operës së Kosovës, shkruan KultPlus. Opera ‘Lo Speciale’ për herë të parë është shfaqur në shtator të vitit 1768, në hapjen e shtëpisë së re të operës në Eszterhaza (Hungari), e cila është një trimon dashurie mes katër personazheve e që vete ngërthen shumë dashuri, padrejtësi, përpjekje, intriga e mashtrime, dëshpërime, humbje dhe fitore. Në fund të së cilës triumfon dashuria e vërtetë, si një variant i veçantë i forcës më të madhe universale, Dashurisë.
Tre burra janë në kërkim të dashurisë ndaj një vajze re, të quajtur Grileta. Dashuri kjo e cila paraqet edhe njëherë karakteret e ndryshme njerëzore, të cilët veprojnë në mënyra të ndryshme, e ndonjëherë edhe të shëmtuara vetëm për të arritur atë që dëshirojnë. Në esencë kjo operë komike shpërfaqë atë se si veset njerëzore që në këtë rast ka qenë lakmia për të bërë për vete një vajzë të re, shpesh e bën njeriun t’i humbet vlerat të cilat mund t’i ketë një individ fisnik, i cili është në integritet me veten dhe mjedisin në përgjithësi. Opera paraqet përpjekjet, dashurinë dhe intrigat në emër saj, të cilat kanë ekzistuar pothuajse qysh me vetë ekzistencën e njeriut, e të cilat janë aktuale edhe sot në kohët post moderne. Opera komike po ashtu përpiqet të tregojë se çfarëdo forme e përpjekjes për të bërë për vete një gjë të caktuar, cila nuk ka në fundament, dashurinë e pastër, mund të qoj vetëm disa hapa më tej, dhe se demaskimi dhe dështimi është i pashmangshëm.
Në një skenë, me një ndriqim të vobektë dhe nën tinguj të lehtë filloi perfomancën Orkestra e Operës së Kosovë e përbërë nga 22 pjestarët e saj, nën dirigjimin e Chris McCraken. Errësira në këtë pikë dhe dëgjimi i tingujve në një skenë të tillë, ishte menduar mjeshtërisht për të parapërgatitur vëmendjen e publikut dhe ngadalë për ta vënë në valët e kësaj opere e cila më vonë edhe do të arrinte kulminacionin e saj.
Ndriqimi i njërës pjesë skenike, në të cilën u shfaq personazhi Sempronio, një farmacist i vjetër i cili është i pasionuar me leximin e gazetave, e zhvendosi vëmendjen e publikut në anën e majtë të sallës, duke i dhënë një ton pak më ndryshe. Me një gazetë në dorë, një glob afër dhe fotografi të varura në mur në një skenografi të dizajnuar në stilin që përkonte me kohën kur është krijuar kjo operë, Harris Bajraktari- Bariton ishte ai i cili paraqiti në skenë për herë të parë profesionalizmin dhe kapacitetin e lartë të studentëve të Universitetit të Prishtinës, të Klasës së Muzikës Kamerale, të profesoreshës universitare Besa Llugiqi. Këtë nivel të lartë të performancës më vonë e dëshmuan edhe sopranoja Elvira Mazhiqi në rolin e Griletës, tenori Rizah Jahaj në rolin e Mengones, mozosporanoja Dija Sadiku në rolin e Volpinos, dhe si Hapsikored Eranda Meka. Ky nivel i lartë i paraqitjes u mundësua edhe falë përshtatjes së mahnitshme që ndodhte me Orkestrën e Operës së Kosovës.
Në aktin e parë përveq Sempronios, që paraqitet duke lexuar gazetë, e i cili personazh dëshiron të martohet me Griletën, vajzë e re, paraqiten edhe dy të rinjë të tjerë të cilët shprehnin interesim për tu lidhur me të. Volpino ishte një i ri i pasur i cili paraqitet në farmaci me receta të cilat i kishte përshkruar vetë, vetëm sa për të rënë në kontakt me Griletën, e cila pas pak e refuzon duke i bërë të ditur se nuk kishte në plan që të fillonte diçka me të, gjë që bëriqë ai të largohej me nxitim. Kurse Mengone ishte personazhi tjetër i cili punonte në farmaci pa asnjë dijeni bazike për profesionin, vetëm për të qenë sa më afër Griletës, e për të cilin ndiente dashuri edhe kjo e fundit. Në këtë pikë ajo përpiqet ta inkurajojë Mengonen për të dal nga ndrojtja e tij dhe të shkojë t’i kërkojë dorën e saj te farmacisti. Përpos bisedave të cilat i zhvillonin, ata filluan të tregojnë intimitet mes tyre dhe gjatë shkëmbimit të puthjes ata zihen nga Sempronio i cili i përzë nga farmacia.
Kalimi nga akti i parë në aktin e dytë, u shoqërua me fikje të dritave të skenës dhe nga një pauzë e shkurtër nga personazhet e Operës dhe nga Orkestra e Operës së Kosovës. Pas pak qastesh në skenën e ndriquar shfaqet Grileta e mërzitur pasi mësuesi i saj, Sempronio i cili ishte i dashuruar në të, kishte kuptuar dashurinë e fsheftë të saj me Mengonen. Në këtë skenë Grileta po ashtu kërkon të sigurohet nga Mengone se a e ndiente edhe ai të njëjtën dashuri , i cili ngurron t’i përgjigjet, pasi ai ka frikë se mos përjashtohet nga Sempronio. Këtu, Griletës së mërzitur, Semprono shfrytëzon rastin dhe për t’i propozuar martesë, ku kërkon një noter menjëherë për të hartuar kontratën e martesës. Dy të rinjtë tjerë që ishin të dashuruar pas saj po ashtu, Volpino dhe Mengone shfaqen si noterë dhe secili përpiqet të nënshkruaj kontratën e martesës në emrin e tij, e të cilin mashtrim e kupton farmacisti, duke bërë që të rinjtë të largohen shpejt nga skena.
Ndërsa akti i tretë paraqet Volpinon e maskuar si pasha, e cili është nën shoqërimin e shërbëtorëve të tij që kanë pamjen e turqve. Por këtu Grileta e njeh ‘Pashain’, i cili pretendon të blejë farmacinë, por në fakt ai dëshiron të rrëmbejë Griletën. Në atë marrëveshje shkruan se në këmbim të kësaj pasurie kërkon dorën e Griletës. Të cilën marrëveshje Sempronio e pranon duke bërë që ai të bie pre e mashtrimit përsëri. Në këtë pikë Mengone maskohet si turk dhe arrin të marr nënshkrimin në një deklaratë të sajuar sikur është marrëveshja e turkut që i ofrohet Sempronios, e që në fakt ai nënshkruan që i jep Mengones dorën e Griletës, duke i shpallur të martuar zyrtarisht.
Skena e fundit e Operës ‘Lo Speziale’ ishte një skenë ku triumfoi dashuria e vërtetë, përkundër të gjitha problemeve dhe shkaktarëve të jashtëm, duke dhënë mesazhin kryesor se kur ekziston dashuria mes dy personave, ajo mund çdo gjë dhe tejkalon çdo sfidë.
Pas shfaqjes, në skenë u rikthyen edhe njëherë të gjithë personazhet dhe ata të cilët mundësuan që kjo operë të shfaqej para audiencës, e cila në këtë premierë ishte e shumtë në numër, duke falënderuar të pranishmit. Ky falënderim kthehej mbrapsht nën duartrokitjet e shumta të të pranishmëve në sallë.
Pas shfaqjes, në një prononcim për KultPlus foli edhe regjisorja Elikonë Hysaj-Shala, e cila tha se ndihej shumë e lumtur që me këtë operë pothuajse kanë vendosur linjat e Operës së Kosovës, e të cilën studentët arritën ta përfunojnë me sukses, përkundër kërkesave të mëdha që ka vetë opera për të kënduar dhe aktruar njëkohësisht.
“Duke e marrë parasysh që këndimin gjatë aktrimit ta realizosh është e vështirë, kur të dyja të bëhen bashkë. Ka pasur disa momente ku është dashur të ketë shumë kujdes te lëvizjet e mëdha të këngëtarëve në skenë sepse vetë gjinia e operës, nuk të lë hapsirën për të aktruar pak më shumë se sa që duhet. Andaj unë si regjisore jam jashtëzakonisht e kënaqur për gjithë këtë arritje të studentëve që janë gjenerata e parë e Operës së Kosovës. Unë jam shumë e lumtur që ne po vendosim linjat, solistët e rinjë të Operës së Kosovës dhe jam shumë e lumtur që këta sot prezantuan denjësisht. Në të ardhmen do të kenë sa më shumë aktivitete të tilla që ta forcojnë edhe më shumë veten si solistë, në të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë regjisorja Hysaj-Shala.
Regjisorja, Elikonë Hysaj-Shala po ashtu ka thënë se kjo operë me mbështetjen e institucioneve do të mund të lëvizte edhe në qytetet e tjera të Kosovës duke mundur të shkëlqejnë dhe duke i dhënë publikut të njejtat ndjesi çfarë i mori mbrëmë në kryeqytet.
“Kjo trupë mund të lëviz edhe në qytete të tjera të Kosovës që t’i ofrojë më shumë edhe publikut të gjerë edhe një eksperienë se si mund të bëhet edhe një operë e vogël me një numër të vogël kasti, por të paktën ta sjellë muzikën dhe aktrimin së bashku dhe tq ndriqojnë në atë formë sikurse që ishte edhe sonte. Unë mendoj që mbështetja e institucioneve nuk bën asesi të mungojë”, ka thënë më tutje regjisorja.
Më tutje për KultPlus foli edhe profesoresha universitare, Besa Llugiqi e cila e surprizuar tha se studentët e saj, nën ndikimin e emocioneve të publikut dhe përgjegjësisë profesionale, i kishin kaluar të gjitha pritshmëritë që ajo kishte pasur për këtë operë.
“Unë mendoj që i kanë tejkaluar pritshmëritë, ndoshta për shkak edhe të adrenalinës si dhe gjithë emocioneve që t’i jep publiku, dhe përgjegjësisë që ke në skenë, mendoj që ata e tejkaluan veten, mbi të gjitha kërkesat që i kemi bërë përgjatë kohës. Si duket këtë energji ata e kanë mbajtur të akumuluar për të na lënë surprizë për këtë natë. Jam jashtëzakonisht e lumtur dhe e kënaqur për këtë eksperiencë që ata e kanë pasur dhe që shpresoj të mos jetë e fundit për ta”, ka thënë sopranoja Besa Llugiqi.
Ndërsa për tematikën e operës profesoresha Llugiqi tha se ‘Lo Speziale’ është një operë komike e lezetshme në të cilën ka shumë satirë, në të cilën përqeshen veset e njerëzve, dhe kuptimi i së cilës në esencë ishte se intrigat dhe asnjë formë tjetër të cilën e sajon mendja, nuk mund të arrijë atë të cilën shpirtërorja e ka në synim, që në këtë rast ishte dashuria e vërtetë mes Griletës dhe Mengones.
“Në thelb është operë komike, dhe zakonisht në opera komike ka shumë satirë, përqeshen veset e njerëzve, këtu do të thotë vërehet që për dashurinë luftohet por në mënyra të shëmtuara. Kështuqë është ajo që përqeshja e veseve të këqija të njerëzve që për një dashuri të vërtetë nuk mundesh që përmes intrigave dhe gjërave të tjera të mbërrijsh deri tek ajo që synohet, shpirtërorja. Kështuqë mendoj që është një tematikë e lezetshme, aktuale ndoshta, por që na ka bërë edhe për të qeshur”, ka thënë Sopranoja Llugiqi.
Ndërsa Elvira Mazhiqi, e cila performoi në rolin e Griletës tha se përgjatë shfaqjes kishte kaluar shumë mirë dhe se gjithsecili ishin të kënaqur me njëri-tjetrin.
“Sot kemi kaluar shumë mirë, të gjithë ne të katërit që sot kemi qenë prezent në skenë ka qenë hera e parë të themi para një publiku duke e realizuar një oper. Unë mendoj që ka dal shumë mirë edhe jemi të kënaqur gjithsecili me njëri-tjetrin. Provat kanë filluar shumë herët. Fillimisht kemi filluar me profesoreshën Besa në Fakultet. Ajo na ka njoftuar pak a shumë për idenë që ka pasur. Në fillim të them të drejtën e kemi pasur pak një ngurrim por secilën herë e më shumë është shtuar dëshira dhe me punë shumë, shumë të madhe dhe të palodhur krejt bashkë si ekipe ja kemi arritur parajush një inskenim të vogël të operës ‘Lo Speciale’, ka thënë sopranoja Mazhiqi.
Kasti i shfaqjeve do të vazhdojë të jepet edhe më 6 dhe 7 korrik nga studentët e klasës së muzikës kamerale të profesoreshës universitare, dhe sopranos së mirënjohur Besa Llugiqi./KultPlus.com