1 Tetor, 2020 - 10:59 pm
Falë një bashkëpunimi institucional mes Ministrisë së Kulturës, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Durrës dhe Albanian Society in Development, është mbyllur mbrëmjen e djeshme në Muzeun Arkeologjik në qytetin bregdetar, Muaji i Trashëgimisë Kulturore. Një mbrëmje artistike, ku janë bashkuar historia dhe muzika, ka pasur si qëllim mbrojtjen e trashëgiminisë kulturore, përmes promovimit të vlerave dhe pasurisë të një qyteti si Durrësi.
“Të njohim të shkuarën për të dashur të ardhmen”, ka qenë kjo tema e një bisede profesionistësh, që ka përbërë pjesën e parë të aktivitetit kulturor, “E ardhmja është në origjinë”, e organizuar në përfundim të një sërë aktivitetesh gjatë muajit të trashëgimisë kulturore. Historia mijëra vjeçare e një qyteti antik si Durrësi, personazhe të tij, ngjarjet që kanë lënë gjurmë deri në ditët e sotme, kanë ardhur në një mënyrë tejet të veçantë përballë publikut.
Profesorët e njohur në fushën e arkeologjisë shqiptare Lida Miraj dhe Saimir Shpuza, u vunë përballë pjesëmarrësve, kryesisht të rinj studentë, duke rrëfyer lindjen dhe zhvillimin e qytetit të Durrësit. Emra qytetarësh të rëndësishëm të Durrësit ndër shekuj, ishte një pjesë e bisedës që ka ngjallur interes tek të pranishmit. Pyetjet janë kthyer në një bashkëbisedim, ku janë zbuluar kureshtje, janë sjellë fakte dhe janë bërë të njohur personazhe, ngjarje, rreth një qyteti që i përket agimit të qytetërimit.
E ku tjetër veçse në mjediset e Muzeut Arkeologjik, kjo bisedë profesionistësh do të ngjizej më mirë, ku minutat kanë kaluar pa u ndier, në pjesën e parë të këtij eventi. Por, mbrëmja ka rezervuar të tjera emocione pozitive, që kanë “fluturuar” nga historia tek arti. Koncert-duo. “Zëri njerëzor dhe violonçeli si dëshmitarë”, kështu është titulluar koncerti që është zhvilluar gjatë pjesës së dytë të aktivitetit.
Dy violonçelistët Prof. Pjetër Guralumi dhe Arven Pjetri, kanë interpretuar për publikun, gjatë një koncerti që u mbështet tek elementi i zërit dhe një instrumenti mjaft elitar si violonçeli. Sipas programit , interpretimet ishin përzgjedhur nga kompozitorë me prejardhje ilire dhe arbërore, Niketa i Remesianas (335 – 414), Jan Kukuzeli (1280 – 1370) dhe Gjergj Danush Lapaçaja (1495 – 1570).
Por, në koncert nuk munguan as pjesë nga kryevepra të autorëve të njohur botëror si Antonio Vivaldi (1678 – 1741); Johan Sebastian Bach (1685 – 1750) dhe Luigi Bocherini (1743 – 1805). Duetet e interpretuara nga artistët krijuan momente emocionuese në sallën e Muzeut Arkeologjik, e cila i ngjasoi për disa orë me një oborr mbretëror antikiteti, “pushtuar” nga muzika elitare e tingujve të violonçelit.
Duartokitjet e gjata në drejtim të interpretuesve, të cilët me mjaft mjeshtëri në zgjedhje dhe profesionalizëm në interpretim, mbyllën koncertin me Sinfoninë num 5, koha e parë, “Allegro con brio” nga Ludvig van Bethoven.
Përgatiti: Erjola Azizolli. / KultPlus.com