26 Qershor, 2019 - 2:29 pm
Lajmet se Michael Jackson ishte në emergjencë kishin filluar të qarkullonin rreth orës 22:00, të martën e 25 qershorit të vitit 2009. E di këtë pasi që isha rrugës për të parë grupin e viteve ‘90, “East 17” në “Dance Tent” në Festivalin e Glastonburyt. Ata do të luanin në një provë para se Festivali të fillonte të nesërmen. Redaktori im më thirri. “Michael Jackson mund të jetë dërguar në spital. Ai mund të jetë në gjendje kome”. Kjo, sipas tabloidit TMZ, që është i njohur për publikimin e lajmeve që kanë të bëjnë me të famshmit. Mirëpo askush nuk e dinte nëse kjo ishte e vërtetë. Histori të çuditshme për mbretin e muzikës pop ishin publikuar shpeshherë. Disa javë më parë ishte raportuar se ai kishte kancer të lëkurës, diçka që më vonë ishte demantuar.
Përkundër kësaj, unë u ktheva dhe ju drejtova kabinës me pluhur prapa skenës dhe fillova të hulumtoja se çfarë po ndodhte. Në Londër, Los Angeles dhe rreth botës, mediumet ishin në aksion për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Gazetarë të BBC-së në Los Angeles iu telefonuan bashkëpunëtorëve të tij, menaxherëve. Askush nuk mund të konfirmonte diçka. Disa as nuk u lajmëruan.
Pas pak çasteve, redaktori im më thirri përsëri. “TMZ po thotë se ai ka vdekur”. Një frymëmarrje e thellë. Michael Jackson ishte pa diskutim ylli më i madh i muzikës pop në 30 vjetët e fundit dhe madhështia e muzikës së tij ishte e pamohueshme. Mirëpo kishte edhe një anë më problematike – i akuzuar e i (liruar) për abuzim me fëmijët, dhe më një personalitet dhe jetë personale të pakëndshme.
Në atë fazë bota nuk kishte informata se çfarë kishte ndodhur në ato momente. Mirëpo në muajt dhe vitet në vazhdim detaje të ditës së tij të fundit u bënë më të qarta.
Jackson ishte disa javë larg rikthimit përmes një serie koncertesh fitimprurëse në “O2 Arena” në Londër, dhe ishte nën stres që ato të kishin sukses.
Ai kishte lënë provat në Los Angeles pak pas mesnatës, një natë para vdekjes së tij, sipas librit “83 Minuta: doktori, dëmi dhe vdekja shokuese e Michael Jackson”. Mirëpo me vite superylli nuk kishte mundur të flinte pa ndihmën e qetësuesve.
Doktori Conrad Murray, që ka qenë i punësuar si mjek personal i këngëtarit për 150 mijë dollarë në muaj, kishte qenë duke e pritur atë në shtëpi, kur ai kishte ardhur. Në dhomën e gjumit të Jacksonit në tavolina, dollapë dhe në dysheme kishte shishe hapash, shiringa e shishe me oksigjen.
Doktori Murray i ka thënë policisë se ai i kishte dhënë artistit propofol – një medikament i fuqishëm i cili zakonisht jepet para apo gjatë operacioneve në spital – për 60 net rresht deri më 22 qershor të vitit 2009, kur ai kishte tentuar që ta ndalonte varshmërinë e tij.
Në orët e hershme të 25 qershorit, mjeku i kishte thënë këngëtarit disa qetësues, në mënyrë që ta ndihmonin për të fjetur. Mirëpo ata nuk kishin dhënë efektin e dëshiruar, ka thënë dr. Murray, i cili ka treguar se Jackson po shqetësohej shumë për ditët e ardhshme të provave. “Unë duhet të jem gati për koncerte në Angli”, kishte thënë ai, sipas mjekut.
Ishte bërë ora 10:00 dhe këngëtari ishte akoma zgjuar. Dr. Murray i kishte thënë policisë që ai i ishte përgjëruar: “Të lutem, më jep më shumë ‘qumësht’ që të mund të fle”. Ai po u referohej me qumësht medikamenteve si propofoli. Mjeku kishte pranuar dhe përmes infuzionit i kishte dhënë një medikament të tillë rreth orës 10:40.
Dr. Murray u ka thënë detektivëve se ai i kishte pajisjet e nevojshme për të monitoruar rrahjet e zemrës dhe nivelin e oksigjenit në gjak, dhe ka thënë se ka qëndruar pranë këngëtarit gjatë gjithë kohës para se të largohej për të shkuar në banjë për dy minuta. Kur ai ishte kthyer, kishte parë që pacienti i tij nuk po merrte frymë.
Mirëpo koha e dhënë nga dr. Murray ishte e vënë në pikëpyetje pas incizimit të thirrjeve telefonike të cilat sugjeronin se ishte para mesditës kur ai kishte filluar të vërente që diçka nuk ishte në rregull. Ai ishte shprehur se kishte ndier një puls dhe kishte marrë disa hapa të ndihmës së parë për ta shpëtuar. Ai ka pohuar se nuk kishte mundur që ta thërriste ndihmën e shpejtë menjëherë pasi që ai ishte duke bërë një CPR (Reanimim kardio-pulmonar), mirëpo eventualisht ai kishte thirrur një nga djemtë e sigurimit të këngëtarit. Alberto Alvarez ka thënë se dr. Murray e kishte udhëzuar që të largonte disa shishe dhe një shishe infuzioni para se ta thërriste emergjencën. Ajo thirrje nuk ishte bërë deri në orën 12:21. Fëmijët e këngëtarit, Prince dhe Paris, ishin të shqetësuar gjersa paniku ngufati lagjen e tyre. Njerëzit e emergjencës nuk e njohën artistin kur arritën. Ai ishte i zbehtë dhe i dobët. Duke parë gjendjen e tij dhe infuzionin, Richard Senneff nga emergjenca kishte menduar se bëhej fjalë për një pacient me sëmundje të gjatë. Jackson ishte dërguar në qendrën mjekësore UCLA, ku përpjekjet për ta shpëtuar vazhdonin. Ai është shpallur i vdekur një orë e 13 minuta më vonë.
Në atë kohë, fansat dhe mediat ishin mbledhur jashtë spitali dhe TMZ-ja nxori lajmin për vdekjen e tij rreth orës 14:44, që në Britani ishte 22:44.
TMZ-ja ka lënë pas me lajme mediat që kanë ekzistuar me herët. Me zhvillimin e telefonave ajo është kthyer në një nga mediumet e para, lajmet e së cilës shpërndaheshin nëpër media sociale.
Redaktori i revistës “Word”, Andrew Harrison, ishte në mesin e atyre që ishin në Glastonbury dhe tha live për “Radion 5” të BBC-së atë natë: “Çfarë po shihni këtu janë shumë njerëz të përkulur mbi këto ekrane të vogla duke tentuar për të gjetur se a është e vërtetë apo jo, sepse njerëzit nuk mund ta besojnë këtë. Njerëzit po kërkojnë në çdo uebfaqe që po u kujtohet për të gjetur më shumë informata”.
Kërkesa për t’u informuar e kishte mbingarkuar internetin. Disa kërkues të “Google” nuk mund të kishin qasje në rezultate kur kërkonin emrin e Michael Jackson, pasi që softueri e kishte keqkuptuar numrin e madh të kërkesave me një sulm kibernetik. “Twitter”, “LA Times”, TMZ, “Wikipedia” dhe AOL kishin rënë nga sistemi.
Vetëm në 23:45 me kohë të Britanisë, prezantuesi Richard Bacon u tha dëgjuesve se BBC-ja ndihet e sigurt që të konfirmojë lajmin për vdekjen pas “Los Angeles Times” dhe “Associated Press”.
Pas dy vjetëve Conrad Murray ishte dënuar për vrasje të paqëllimshme dhe ka bërë më pak se 2 vjet burgim, nga 4 vjet sa është dënuar.
Në kabinën e Glastonbury unë isha duke shkruar një vlerësim për karrierën e këngëtarit. Në kohën kur unë dola nga aty, në orët e hershme të mëngjesit, çdo kush kishte dëgjuar lajmin e ri, përmes “Twitter”, përmes mënyrës së vjetër gojë me gojë, apo sepse muzika e tij po dëgjohej përmes mediumeve të ndryshme.
“Filluan që të lëshonin shumë këngë të tij dhe ne menduam ‘Oh, kjo është e çuditshme’”, ka thënë një fans. Dhe pastaj dikush tjetër ka thënë “Michael Jackson kishte vdekur dhe ne mbetëm, ‘ S’ka mundësi’”.
Nëse dikush akoma nuk ka dëgjuar, disa njerëz veshën fanella që mbanin mbishkrimin “Michael Jackson ka vdekur” dhe “Unë isha në Glasto kur Jackon vdiq”, të cilat ishin bërë nëpër tezga pa kaluar shumë orë nga shpërndarja e lajmit.
Atë vikend disa performues të festivaleve kishin përmendur Jacksonin në skenë apo kishin kënduar këngë të tij, mirëpo të paktë ishin ata që pranonin të jepnin intervista për të. Ndoshta njerëzit që kujdesën për marrëdhënien e tyre me publikun ishin frikësuar se mund të pendoheshin nëse bënin ndonjë homazh të papërmbajtur, nëse më shumë skandale dilnin pas vdekjes së Jacksonit. Kjo ka ndodhur herët këtë vit, kur dy burra kanë dhënë dëshmi në një dokumentar duke thënë se Jackson kishte abuzuar me ta kur ata ishin fëmijë.
Në dekadat e fundit ne kemi mësuar detaje për rrethanat e vdekjes së Michael Jackson. Derisa muzika e tij do të mbetet gjithmonë, ne po ashtu marrim disa të dhëna problematike për jetën e tij /Koha.net/ KultPlus.com